PD kërkon mocion me debat për raportin e DASH, Tabaku: Të bëhet transparencë për qytetarët. Balla: Propozuam datat 7 dhe 14 maj, se pranuat

Ka nisur me debate seanca e sotme plenare pas akuzave të opozitës për mospërfshirjen e mocionit me debat për raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit në kalendarin e punimeve të Kuvendit.
Në fjalën e saj, deputetja demokrate Jorida Tabaku deklaroi se DASH pritet të nxjerrë raportin e dytë, teksa në Kuvend ende nuk është diskutuar raporti i parë. Ajo u kërkoi kolegëve deputetë që të votojnë pro mocionit me debat, pasi, sikurse theksoi ajo, nevojitet të bëhet transparencë për qytetarët.
“Qytetarët shqiptarë kanë nevojë të dëgjojnë, të kuptojnë dhe të marrin vesh si sot qeveria është kthyer në pengesën kryesore të integrimit; si korrupsioni në nivelin e lartë, vjedhja, procesi dhe modeli qeverisës janë pengesa kryesore e Shqipërisë, arsyeja përse të rinjtë largohen. I kërkoj kolegëve të votojnë pro mocionit me debat që PD ka propozuar për raportin e DASH”, deklaroi ajo.
Më tej, Tabaku u ndal te ligji i porteve i futur në rend dite për diskutim, duke theksuar se ky ligj, i cili ndan Shqipërinë në zona investimi dhe jep portet investitorëve strategjikë, është kthyer në një pengesë kryesore për integrimin e vendit dhe për klimën e biznesit.
Ajo nënvizoi se ky ligj, së bashku me korrupsionin në nivele të larta, vjedhjet dhe modelin e qeverisjes, është arsyeja pse shumë të rinj largohen nga vendi.
“Ligji i porteve, mbasi jep investim strategjik dhe ndan Shqipërinë me porte, prona në jug, jep dhe porte investitorëve strategjikë, jep portë për garë. Këto ligje janë pengesa kryesore e integrimit sot. Ky sistem qeverisjeje është kthyer në pengesën kryesore të procesit të integrimit, për Shqipërinë në klimën e biznesit, ndaj luftës kundër korrupsionit. Kemi propozuar mocion me debat për këto çështje, për të ofruar transparencë për situatën ndaj krimit të organizuar, për raportin e progresit dhe raportin që qeveria duhet të kishte sjellë për procesin e integrimit”, tha Tabaku.
Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, u përgjigj duke theksuar se Tabaku nuk ka qenë e pranishme në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, ku është rënë dakord për kalendarin e diskutimeve. Ai sqaroi se nuk është diskutuar për propozime për ndryshime në rregulloren e Kuvendit, por për detyrimet që ka Kuvendi sa i përket vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Balla theksoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të trajtohet nga Këshilli i Legjislacionit dhe më pas të transpzohet, duke e cilësuar të papranueshme pretendimin se nuk ka pasur dakordësi.
Ai shtoi se mocioni me debat për luftën ndaj krimit të organizuar është zhvilluar më 17 dhjetor dhe se në nëntor të 2025 është bërë bashkimi i dy çështjeve në të njëjtin mocion me debat: raporti i DASH dhe mocioni lidhur me nenin 18 të ligjit për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit. Balla theksoi se qeveria ka propozuar datën 7 ose 14 maj për zhvillimin e mocionit me debat, propozim i cili, sipas tij, nuk është pranuar nga opozita.
“Për të qenë të vërtetë në ato që themi, zonja nuk ka qenë e pranishme në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve deri kur kemi rënë dakord për kalendarin.
Nuk kemi diskutuar për çështje të propozimit për ndryshime të rregullores së Kuvendit, por për detyrimin që ka Kuvendi që menjëherë, sapo Kushtetuesja të zbardhë vendimin e saj (kujtoj diskutimin që bëmë këtu), sepse GJK është në shkelje të ligjit të vetë, pasi brenda 30 ditësh duhet të kishte zbardhur vendimin e vet. Këtë kemi thënë, dhe s’kemi hyrë fare te pjesa e propozimeve të ndryshimeve të rregullores. E dimë të gjithë që vendimi i Gjykatës Kushtetuese do shkojë në Këshillin e Legjislacionit dhe më pas të transpzohet. Kemi rënë dakord për kalendarin dhe është në procesverbal. E papranueshme të vish këtu dhe të thuash s’kemi rënë dakord. Të mos harrojmë që kemi diskutuar edhe për mocionin me debat për luftën ndaj krimit të organizuar, i cili është mbajtur më 17 dhjetor.
Në nëntor të 2025 kemi bërë konferencën e kryetarëve dhe kemi rënë dakord të bëjmë bashkimin e dy çështjeve në të njëjtin mocion me debat: raportin e DASH dhe mocionin lidhur me nenin 18 të ligjit për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit. Kemi thënë që sapo të vij raporti, do ta bëjmë. Jemi dakord që na ka kaluar afati i përcaktuar”, deklaroi Balla.
/rtsh.al/