E Diel, 1 Nëntor 2026

PD paraqet paketën e ligjeve për integrimin europian dhe kërkesat e protestuesve, Bardhi: Rama të dorëhiqet

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka bërë të ditur se ka gati paketën e parë të nismave ligjore që, sipas tyre, synojnë përmbushjen e disa kushteve të vendosura nga Bashkimi Europian në procesin e integrimit të Shqipërisë.

Në një deklaratë publike, kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, u shpreh se paketa nis me shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike, të cilin opozita e konsideron simbol të mungesës së konkurrencës së ndershme, favorizimeve dhe cenimit të interesit publik.

Sipas Bardhit, ky ligj është përdorur nga qeveria e kryeministrit Edi Rama për të krijuar përfitime të padrejta dhe për të deformuar tregun, duke dëmtuar pronën, konkurrencën dhe interesin publik.

PD thekson se kërkesa për shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike nuk vjen vetëm nga opozita, por është edhe ndër shqetësimet kryesore të qytetarëve që po protestojnë.

Në vijim, opozita njofton se do të kërkojë gjithashtu shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, Paketës së Maleve dhe ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore, duke i konsideruar këto nisma si të dëmshme për mjedisin dhe trashëgiminë kombëtare.

Në fund të deklaratës, Bardhi i bëri thirrje kryeministrit Rama që të mos pengojë këto nisma në Kuvend dhe, sipas tij, të marrë “hapin e vetëm që nuk mund të depozitohet në Parlament”, duke kërkuar dorëheqjen e tij.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›