E Diel, 1 Nëntor 2026

Shiste lëndë narkotike në vendin e punës, vihet në pranga i riu në Durrës

Në Durrës është finalizuar operacioni policor i koduar “PlayStation”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Forcën e Posaçme Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë.

Si rezultat i hetimeve të bazuara në informacione operative, policia ka zbuluar dhe dokumentuar një veprimtari të dyshuar kriminale në fushën e narkotikëve, e cila dyshohet se kryhej në ambientin e një lokali PlayStation-i ku i riu ishte i punësuar.

Në flagrancë është arrestuar shtetasi D. M., 20 vjeç, banues në Durrës, i dyshuar se shpërndante lëndë narkotike të llojeve kokainë, heroinë dhe kanabis në doza.

Gjatë kontrollit janë sekuestruar si prova materiale një sasi kanabisi, 69 doza kokainë (crack) dhe 23 doza heroinë.

Materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për vijimin e procedurave ligjore.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›