PD protestë para Kryeministrisë

TIRANË, 24 nëntor /ATSH/ Partia Demokratike organizoi sot protestën e radhës para Kryeministrisë, një javë pas themelimit të foltores parlamentaro-qytetare.
Protesta u zhvillua në formën e një foltorje, në të cilën mbajtën fjalën, deputetët demokratë, qytetarë, si dhe kreu i PD-së Sali Berisha. Në protestë ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Partisë së Lirisë.
Gjatë fjalës së tyre, deputetët, ngritën shqetësimin për problematikat e qarqeve nga të cilët janë zgjedhur si dhe kërkuan largimin e qeverisë.
I pari që mori fjalën ishte deputeti Oerd Bylykbashi, i cili u ndal tek projekti i Eco Parkut në Porto Romano, që sipas tij është një aferë që kap vlerën e 19 milionë eurove.
“Eco Parku 19 milionë euro, guximi për të grabitur shqiptarët është i tmerrshëm. Vetëm 6 milionë e gjysmë janë përdorur, ia kanë dhënë kompanisë së Klodian Zotos. Po 12.5 milionë euro ia kanë vjedhur shqiptarëve drejtpërdrejt”, tha Bylykbashi.
Bylykbashi tha se “po bien themelet e shtetit një nga një” dhe se “kjo qeveri duhet të shporret një orë e më përpara”.
“Jam i bindur se ne do t’ia shkurtojmë ditët kësaj qeverie”, tha Bylykbashi.
Deputetja Ledina Aliolli ngriti shqetësimin për dëmet e shkaktuara nga përmbytjet në qarkun e Korçës.
“Foltorja jonë parlamentaro-qytetare është vendi për të thënë të vërteta pa frikë. Vetëm PD dhe opozita e bashkuar do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe rikthimin e besimit të qytetarëve te shteti”, tha ajo.
Deputeti Saimir Korreshi tha se qeveria nuk mund ta trajtojë “buxhetin e shtetit sikur t’i ketë lekët e veta”.
“Po vjedhin xhepat e çdo qytetari të ndershëm”, tha Korreshi.
Në protestë mbajtën fjalën edhe qytetarë të ndryshëm, ndër to edhe një minator nga Spaçi, i cili tha se u hoq nga puna pas grevës së zhvilluar për kushte më të mira pune.
“Një qeveri e përgjegjshme s’do të tregonte bukën e gojës, por do të mbronte të drejtat”, tha ai.
Protesta zgjati për rreth 1 orë e 30 minuta. Në kuadër të protestës, Policia e Shtetit ndërmori masat e nevojshme për garantimin e rendit dhe mbarëvajtjes së tubimit.
Protesta e dytë e PD para Kryeministrisë; Fotot: Andrin Hoxha 1 nga 12/m.q/r.e/