PEKIN – Kina bën thirrje për vetëpërmbajtje pas dekretit të Putinit për përdorim më të gjerë të armëve bërthamore

PEKIN, 20 nëntor /ATSH-AFP/- Kina bëri thirrje sot për “qetësi” dhe “vetëpërmbajtje” pasi presidenti rus Vladimir Putin lëshoi një kërcënim bërthamor dhe Ukraina sulmoi për herë të parë me raketa amerikane me rreze më të gjatë veprimi në territorin e saj.
Moska ka reaguar ndaj vendimit të presidentit amerikan Joe Biden për të ndryshuar politikën ndaj Ukrainës – dhe për të lejuar Kievin të përdorë raketa me rreze të gjatë veprimi të furnizuara nga SHBA-ja – për të goditur territorin rus për herë të parë.
Putin nënshkroi dje një dekret që i mundëson Moskës të përdorë armë bërthamore kundër shteteve jo-bërthamore si Ukraina, nëse ato mbështeten nga fuqitë bërthamore.
Pas dekretit, një zyrtar i lartë tha se sulmi në rajonin Bryansk të Rusisë dje në mëngjes – ishte kryer me raketat ATACMS – të furnizuara nga SHBA-ja.
Pekini sot bëri thirrje për ulje të tensioneve.
“Në rrethanat aktuale, të gjitha palët duhet të qëndrojnë të qetë dhe të ushtrojnë vetëpërmbajtje, duke punuar së bashku përmes dialogut dhe konsultimit për të lehtësuar tensionet dhe për të zvogëluar rreziqet strategjike”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Lin Jian kur u pyet për dekretin dhe sulmet brenda Rusisë.
“Qëndrimi i Kinës për të nxitur të gjitha palët që të shmangin përshkallëzimin e situatës dhe angazhimin e tyre për një zgjidhje politike të krizës së Ukrainës mbetet i pandryshuar”, shtoi Lin.
“Kina do të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv në këtë drejtim”, tha ai.
Shtëpia e Bardhë, Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian e dënuan dekretin bërthamor të Putinit si “të papërgjegjshëm”.
Duke folur me gazetarët pas samitit të G20 në Rio de Zhaneiro, lideri francez Emmanuel Macron tha se i kishte kërkuar presidentit kinez Xi Jinping gjatë një takimi në G20 të “përdorte të gjithë ndikimin e tij” me Putinin për të arritur një shmangie të përshkallëzimit.
Macron tha se aleati i Rusisë Kina kishte kapacitetin për të negociuar me presidentin Putin në mënyrë që ai të ndalonte sulmet e tij ndaj Ukrainës. //a.i/