PEKIN – Kina bën thirrje për vetëpërmbajtje pas sulmeve ndaj Libanit

PEKIN, 9 prill /ATSH-DPA/- Kina ka bërë thirrje për vetëpërmbajtje pas sulmeve izraelite ndaj Libanit, mes debatit të ashpër mbi armëpushimin e brishtë në luftën e Iranit.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Mao Ning tha në Pekin se Kina u ka bërë thirrje palëve përkatëse të qëndrojnë të qeta dhe të ndihmojnë në qetësimin e situatës në rajon.
“Sovraniteti dhe siguria e Libanit nuk duhet të shkelen”, tha ajo.
Sulmi masiv i Izraelit ndaj objektivave dje në Liban shkaktoi vdekjen e më shumë se 200 personave dhe plagosi mbi 1 000 të tjerë, sipas ministrit të Shëndetësisë të Libanit.
Ushtria izraelite tha se kishte në shënjestër komandantët dhe infrastrukturën ushtarake të Hezbollahut.
Ndryshe nga Irani, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli nuk e konsiderojnë Libanin të përfshirë në armëpushimin e shpallur, këtë javë.
“Irani po shqyrton tërheqjen nga armëpushimi – i cili përfshin rihapjen e Ngushticës kyçe të Hormuzit – për shkak të sulmeve të vazhdueshme të Izraelit ndaj Hezbollahut”, raportoi agjencia iraniane e lajmeve Fars.
E pyetur në lidhje me armëpushimin midis SHBA-së dhe Iranit, Mao tha se Kina shpresonte që të gjitha palët do të shfrytëzonin mundësinë për të arritur një armëpushim dhe për t’i dhënë fund luftës përmes kanaleve diplomatike.
Ajo tha se Kina do të vazhdonte të punonte për të ulur tensionet në rajon. //a.i/