E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis afishimi publik për regjistrimin fillestar të pasurive në Drizar, Mallakastër

TIRANË, 9 prill /ATSH/ Ka nisur zyrtarisht faza e afishimit publik për Regjistrimin Fillestar të pasurive në fshatin Drizar (ZK 1555), në bashkinë Mallakastër, një proces i rëndësishëm në kuadër të përditësimit dhe formalizimit të të dhënave kadastrale.

Kadastra bën të ditur se, gjatë kësaj faze, e cila do të zgjasë 45 ditë, banorët e zonës kanë mundësinë të verifikojnë të dhënat e pasurive të tyre, përfshirë sipërfaqet, kufijtë dhe pronarët e identifikuar, si dhe hartat kadastrale përkatëse. Ky proces synon të garantojë saktësinë dhe transparencën e regjistrit të pasurive të paluajtshme.

Të dhënat e afishuara janë të aksesueshme për qytetarët si në mënyrë elektronike, përmes rubrikës “Platforma e Regjistrimit Fillestar” në faqen zyrtare, ashtu edhe fizikisht pranë Njësisë Administrative Fratar në Mallakastër.

Kadastra i bën thirrje banorëve të shfrytëzojnë këtë periudhë për të verifikuar informacionin dhe, në rast paqartësish apo pretendimesh, të paraqesin kërkesë me shkrim pranë Njësisë Administrative ku kryhet afishimi.

Procesi i regjistrimit fillestar konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt forcimit të sigurisë juridike mbi pronën dhe përmirësimit të administrimit të territorit që ndihmon edhe zbatimin e nismës së qeverisë për “Paketën e Maleve”.

/e.xh/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›