PL depoziton projektilgj për uljen e çmimit të karburanteve, Blushi: Synohet mbrojtja e buxhetit të familjeve shqiptare

Partia e Lirisë, ka depozituar në Kuvend një projektligj që synon pezullimin e përkohshëm të taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit për benzinën, gazoilin dhe biokarburantet deri në mars 2028.
Nisma i është drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, dhe mban firmat e deputetëve Tedi Blushi, Edmond Haxhinasto, Erisa Xhixho dhe Brunilda Haxhiu.
Sipas relacionit, projektligji vjen si përgjigje ndaj rritjes së çmimeve të karburanteve, të ndikuara nga zhvillimet gjeopolitike në Lindjen e Mesme dhe krizat e mëparshme ndërkombëtare.
“Një propozim i tillë, nuk krijon problem në planin e të ardhurave të miratuar nga qeveria me ligjin e Buxhetit të Shtetit për vitin 2026 pasi të ardhurat e realizuara në buxhet nga TVSH-ja janë rritur dhe do të vazhdojnë të rriten ndjeshëm si pasojë e rritjes në tërësi të çmimeve. Kjo nismë do të ndihmojë gjithashtu që konsumi i familjeve shqiptare dhe ecuria e biznesit të ketë qëndrueshmëri”, nënvizoi Kryetari i grupit parlamentar, Tedi Blushi.
Partia e Lirisë argumenton se sipas tij mbi 60% e çmimit të naftës në Shqipëri përbëhet nga taksa dhe akciza, duke e bërë vendin me çmimin më të lartë të karburanteve në rajon, ndërkohë që thotë që pagat dhe fuqia blerëse mbeten ndër më të ulëtat në Europë.
/rtsh.al/