GREQI – Vendi ballkanik mbetet i bllokuar nga protestat e fermerëve

ATHINË, 11 dhjetor /ATSH-ANA/ – Protestat e fermerëve vazhduan edhe sot në Nikaia, ku qindra traktorë qëndrojnë ende të rreshtuar në kryqëzimin e autostradës Athinë–Selanik.
Qarkullimi i mjeteve devijohet përmes rrugëve dytësore, nën drejtimin e vazhdueshëm të policisë rrugore për të shmangur vonesat dhe për të siguruar lëvizje të rregullt.
Prania e fermerëve mbetet e qëndrueshme, me mbledhje të përditshme që përcaktojnë koordinimin dhe hapat e mëtejshëm.
Paralelisht me mobilizimet, Këshilli Rajonal i Thesalisë miratoi një rezolutë mbështetëse për fermerët, duke theksuar se sektori primar është shtyllë thelbësore e ekonomisë dhe kohezionit social të rajonit.
Kryetari i rajonit të Thesalisë, Dimitris Kouretas, shprehu mbështetjen e tij dhe vuri në dispozicion shërbimet e autoritetit rajonal për sa kohë të zgjasë protesta.
Kërkesat e fermerëve mbeten të pandryshuara dhe fokusohen kryesisht në uljen e kostove të prodhimit, të cilat – siç theksuan ata – kanë bërë që shumë ferma të mos jenë më të qëndrueshme financiarisht.
Fermerët e Kardhitsës dhe Trikalës vazhdojnë qëndrimin në bllokadat e vendosura në autostradën E65.
Ata njoftuan pjesëmarrjen, të shtunën, në tubimin e Komitetit Panhelenik të bllokadave në Nikaia (Larisa), për të koordinuar më tej veprimet e tyre.
Protestuesit po marrin mbështetje nga sindikata punëtore, shoqata studentësh, pensionistësh, organizata dhe grupe të ndryshme, të cilat ndodhen çdo ditë në terren.
Fermerët theksuan se janë të vendosur të vazhdojnë dhe të intensifikojnë mobilizimet, duke diskutuar çdo ditë në mbledhjet që zhvillohen në vendin e bllokadës.
Në Lamia, fermerët shprehen të vendosur të vazhdojnë protestat.
Përfaqësues nga të gjitha rajonet e Greqisë Qendrore janë ftuar në një takim në Këshillin Rajonal të Greqisë Qendrore, ku pritet të diskutohen çështjet bujqësore, kuadri i kërkesave dhe problematika lokale, kryesisht infrastruktura./ /Ad.Ab./