GJERMANI – Merz: Përgjigjja e Ukrainës ndaj planit amerikan të paqes trajton edhe çështjet territoriale

BERLIN, 11 dhjetor /ATSH-DPA/ – Përgjigjja e Ukrainës ndaj versionit të fundit të planit të paqes të SHBA-së trajton gjithashtu çështjen e lëshimeve territoriale, një pikë kyçe ngërçi në negociatat për t’i dhënë fund luftës së nisur nga Rusia, tha sot kancelari gjerman, Friedrich Merz.
”Kievi i dorëzoi përgjigjen e tij presidentit të SHBA-së Donald Trump të mërkurën duke detajuar cilat lëshime territoriale është e gatshme të bëjë Ukraina”, tha Merz gjatë një konference për shtyp me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte në Berlin.
“Megjithatë, kjo është një pyetje që duhet t’i përgjigjet kryesisht presidenti ukrainas dhe populli ukrainas”, theksoi Merz, duke shtuar se edhe udhëheqësit evropianë e theksuan këtë pikë në bisedimet me Trump të mërkurën.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deri më tani ka refuzuar vazhdimisht lëshimin e territorit ndaj Rusisë, një nga kërkesat kryesore të Moskës për ndalimin e luftimeve në Ukrainë.
Trump tha vonë të mërkurën se kishte folur në telefon me Merz, presidentin francez Emmanuel Macron dhe kryeministrin britanik, Keir Starmer rreth situatës në Ukrainë.
Merz tha se udhëheqësit evropianë ftuan palën amerikane për të diskutuar së bashku përgjigjen e Ukrainës në fundjavë.
Propozimi i Ukrainës, i cili është koordinuar me aleatët e saj evropianë, nuk ishte ende i njohur për Trump në kohën e telefonatës, sipas kancelarit, i cili e përshkroi bisedën si “vërtet shumë konstruktive”.
Merz tha se bisedimet e mundshme gjatë fundjavës mund të pasohen nga një takim në Berlin javën e ardhshme, por ende nuk ishte e qartë nëse SHBA-të do të merrnin pjesë./ a.jor.