E Diel, 1 Nëntor 2026

Përcaktohen standardet për anëtarët e Gjykatës së Lartë

Tiranë- Grupi i ekspertëve ligjorë pranë Presidentit përcaktoi sot standardet e përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Në mbledhjen e sotme në Presidencë, grupi i ekspertëve ligjorë, që po ofron asistencën juridike mbi standartet në përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, ka shqyrtuar propozimet e ardhura nga grupet parlamentare si dhe propozimet e ekspertëve për kriteret dhe standartet e vlerësimit të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë.

Sipas zyrës së shtypit mësohet se grupi i ekspertëve shqyrtoi me vëmendje çdo rekomandim dhe sugjerim, duke i marrë ato në konsideratë si dhe duke i shoqëruar me komentet përkatëse mbi interpretimin juridik të tyre.

Pas shqyrtimit, presidentit i është sugjeruar që në vlerësimin e kandidaturave për anëtarë të Gjykatës së Lartë, të marrë në konsideratë këto kritere:

• Arsimi i lartë juridik, mënyra e kryerjes së tij, kualifikime shkencore.

• Vjetërsia në punë, duke pasur parasysh që ushtrimi i profesionit të ketë qenë sa më afër gjyqësorit.

• Për periudhën ligjore të vjetërsisë, të shikohen masat disiplinore, fuqia e tyre ligjore, lloji dhe numri i masave të dhëna.

• Integriteti i lartë moral, reputacion i mirë në komunitetin e juristëve dhe mbështetje shoqërore e institucionale.

• Gjatë gjithë periudhës së ushtrimit të profesionit, të mos ketë patur precedentë penalë, të ketë përmbushur detyrimet ligjore, të ketë qenë transparent dhe të ketë justifikuar pasurinë e tij.

• Tregues të lartë cilësorë dhe intelektualë të punës së kandidatit (vendime gjyqësore, pretenca, parashtresa).

• Tregues intelektualë të kandidatit jashtë ushtrimit të profesionit (botime, artikuj shkencorë, kryesisht në fushën juridike.)

• Të mos ketë konflikt interesi apo lidhje nepotike mes përbërjes së gjykatave dhe kandidatëve që do të përzgjidhen për anëtarët e Gjykatës së Lartë.

• Të inkurajohet karriera gjyqësore.

Ndërkohë në funksion të transparencës së procesit dhe të emrave të paraqitur, gjithë kandidatët, të cilët, nuk kanë mbartur detyrimin për deklarim të pasurisë sipas ligjit, të depozitojnë pranë Zyrës Juridike të Presidentit brenda fundit të ditës së enjte, 3 korrik 2008, deklarimin e pasurisë së tyre, burimin e saj si dhe të detyrimeve financiare. “Ky deklarim duhet të shoqërohet me autorizimin e kandidatit për verifikim të të dhënave të paraqitura”- thanë burimet.

Ndërkohë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të informojë Presidentin për deklarimet e pasurisë së gjyqtarëve të cilët kanë paraqitur kërkesë për në Gjykatën e Lartë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›