E Martë, 3 Nëntor 2026

PS: Rezultati i zgjedhjeve i qartë, zvarritjet e numërimit të pajustifikueshme

TIRANË, 12 maj /ATSH/ Zëdhënësja për zgjedhjet pranë Partisë Socialiste, Silda Çepe, u shpreh sot gjatë një deklarate për mediat nga selia e PS se “janë numëruar mbi 40% e votave dhe rezultati i zgjedhjeve të 11 majit është bërë i qartë për këdo, njësoj si dielli i kësaj dite pranvere”.

Zëdhënësja për zgjedhjet pranë PS-së tha se “është e vështirë që të gjenden fjalët për t’i falënderuar të gjithë qytetarët që përmbushën detyrën e tyre demokratike dhe patriotike, duke votuar masivisht, në një pjesëmarrje domethënëse, brenda dhe jashtë atdheut, pavarësisht se për kë votuan”.

“Falënderojmë po ashtu edhe ata mijëra komisionerë e vëzhgues të qendrave të votimit, që me korrektesë garantuan një proces votimi të qetë dhe me standarde, pavarësisht disa orvatjeve sporadike, sa artificiale aq edhe qesharake, për të krijuar turbullira të kota”, tha Çepe.

“Tani është koha ta çojmë drejt mbylljes me dinjitet qytetar e me bindje ligjore, këtë ushtrim të bukur  demokracie. Zvarritjet e procesit të numërimit janë të pajustifikueshme në sytë e popullit sovran dhe ndikimet politike mbi numëruesit janë të dëmshme për ata vetë”, shtoi ajo.

Zëdhënësja për zgjedhjet pranë PS-së nënvizoi faktin se “çdo votë duhet të numërohet me respekt dhe përulësi për çdo votues, ndaj u bëri thirrje të gjithë komisionerëve e numëruesve që të respektojnë ligjin dhe të vazhdojnë punën për ta përmbyllur me sukses e me standarde sa më të larta procesin deri në shpalljen finale të rezultatit, pa rënë pre e ndikimeve politike dhe pa luajtur me zjarrin e ligjit”. /e.i/ /a.g/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›