E Hënë, 2 Nëntor 2026

PS kërkon përjashtimin e Gazment Bardhit për 30 ditë nga Kuvendi

TIRANË, 17 tetor/ATSH/ Grupi parlamentar i Partisë Socialiste kërkoi sot nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, përjashtimin për 30 ditë të kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.

Kërkesa vjen pas seancës së datës 16 tetor, në të cilën, sipas PS, veprimet e qëllimshme për të penguar zhvillimin normal të seancës, krijuan kaos në sallë, duke bllokuar vijimin e punimeve dhe penguar të drejtën e fjalës të deputetëve të tjerë.

“Në seancën e datës 16 tetor gjatë zhvillimit të diskutimeve mbi çështjet e rendit të ditës, ku konkretisht po raportonin Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, deputeti Gazment Bardhi ndërhyri në mënyrë të përsëritur me tone arrogante, duke ndërprerë folësin, duke përdorur fjalë shumë të rënda fyese ndaj Kryetarit të Kuvendit, veprime këto që përbëjnë shkelje të rëndë të Rregullores së Kuvendit dhe të etikës parlamentare”, thuhet në kërkesën e grupit parlamentar të PS-së.

Në kërkesën e saj, PS vëren se “Kryetari i Kuvendit, në zbatim të Rregullores, mori masa disiplinore të përshkallëzuara ndaj deputetit Bardhi, duke i tërhequr vëmendjen, më pas duke i hequr të drejtën e fjalës dhe në fund përjashtimin nga seanca plenare”.

“Edhe pas kërkesës së përsëritur të kryetarit të Kuvendit për të lënë sallën e seancave plenare, deputeti Bardhi, në shkelje të Rregullores, refuzoi të dilte; duke u bërë kështu pengesë për vijimin normal të seancës. Deputeti Gazment Bardhi, brenda sesionit parlamentar, ka kryer në mënyrë të përsëritur shkeljet e parashikuara në Rregulloren e së Kuvendit”, vëren PS.

Në këto kushte, bazuar në Rregulloren e Kuvendit dhe në Kodin e Sjelljes së Deputetit , grupi parlamentar i PS-së kërkon marrjen e masës disiplinore të përjashtimit 30 ditë ndaj deputetit Gazment Bardhi.

PS kërkon thirrjen e mbledhjes së Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën për vlerësimin e masës disiplinore.

Në seancën e datës 16 tetor, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, përjashtoi nga seanca plenare kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhin, pas debateve në seancë.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›