SHBA – Trump: Do të diskutojmë me Zelensky për armët e reja për Ukrainën

UASHINGTON, 17 tetor /ATSH/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump priti sot në Shtëpinë e Bardhë homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky për të diskutuar luftën në Ukrainë, sipas CNN.
“Është një nder të jem me një udhëheqës shumë të fortë, një njeri që ka kaluar shumë dhe një njeri që e kam njohur shumë mirë dhe kemi shkuar shumë mirë me njëri-tjetrin”, tha Trump.
“Siç e dini, dje pata një bisedë të rëndësishme telefonike me presidentin Putin dhe sot do të flasim për këtë”, shtoi ai.
Trump vlerësoi Zelensky, duke thënë se ai kishte “duruar shumë” gjatë rrjedhës së luftës në Ukrainë.
“Ka kaluar shumë kohë dhe mendoj se po bëjmë progres të madh. Kështu që do të flasim për këtë sot”, tha Trump.
Gjithashtu, Trump tha se ai dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky kishin planifikuar të diskutonin për armët e reja – që do t’i lejonin Ukrainës të godiste Rusinë brenda territorit.
“Kjo është diçka për të cilën do të flasim”, tha Trump kur u pyet nëse armët e reja do të ishin pjesë e diskutimit.
Trump nuk e ka përmendur konkretisht çështjen e furnizimit të raketave “Tomahawk”, por raketat me rreze të gjatë veprimi të prodhuara në SHBA pritet të jenë në qendër të diskutimeve të sotme.//a.i/