SHBA – Trump: Mund ta bindim Putinin që t’i japë fund luftës në Ukrainë

UASHINGTON, 17 tetor /ATSH/- Presidenti Donald Trump priti sot në Shtëpinë e Bardhë presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, sipas CNN.
I pyetur nga gazetarët nëse mendonte se mund ta bindte presidentin rus, Vladimir Putin t’i jepte fund luftës në Ukrainë Trump u përgjigj që kjo ishte e mundur.
“Bisedova dje me presidentin Putin për dy orë e gjysmë, shqyrtuam shumë detaje”, shtoi Trump.
“Ai kërkon t’i japë fund, mendoj se edhe presidenti Zelensky kërkon t’i japë fund – tani duhet ta përfundojmë”, tha ai.
Zelensky mbërriti sot në Shtëpinë e Bardhë me një kostum të zi, duke hequr dorë nga veshjet ushtarake – dhe duke u paraqitur me një pamje më formale.
Trump komplimentoi pamjen e liderit ukrainas gjatë një dreke në Dhomën e Kabinetit.
“Mendoj se duket bukur me këtë xhaketë – shpresoj që njerëzit ta vënë re. Në fakt, është shumë elegante, më pëlqen”, tha Trump. //a.i/