PS në aksion/ Gati draftin e parë për referendumet, kërkon edhe “zvogëlimin” e Kuvendit

Në një konferencë për shtyp këtë të martë, 24 mars, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi se nevojitet një ligj i posaçëm për referendumet, duke njoftuar se mazhoranca ka punuar në këtë drejtim dhe ka përgatitur draftin.
Këtë nismë, e theksoi edhe kryeministri Edi Rama kur foli në Asamblenë e PS-së, fundjavën e shkuar në Durrës.
“Besoj që ligji i ri për referendumet është i realizueshëm brenda këtij sesioni të legjislaturës. Së dyti kemi folur për ligjin organik për funksionimin e kuvendit, i domosdoshëm se kuvendi i ka deputetët pa status.
Kuvendi i ka të pamjaftueshme burimet me të cilët funksionon. Nuk ka as shtëpi. Kemi thënë se duhet ta bëjmë Kuvendin me shtëpi. Këto duhen bërë tani”, do të shprehej Rama.
“Këtë draft që kemi sot, para se ta depozitojmë në Kuvend, do t’ja nënshtrojmë një procesi të gjerë konsultimi. Grupi do zhvillojë tryeza të mëdha konsultative, me juristë, profesorë, studentë, shoqërinë civile, me qëllimin e mirë që të shkojmë në një projekt të konsoliduar”, bëri me dije Balla, duke e cilësuar referendumin “ushtrim të drejtpërdrejtë të sovranitetit të popullit”.
Balla shtoi se vendi ka nevojë për një referendum konsultativ.
“Kur në një votim, kërkohet mendimi i qytetarëvepër një çështje specifike, dhe që kërkojnë një zgjidhje ligjore. Qeveria kështu merr mendimin e qytetarëve edhe kur mund të ratifikohet ndonjë marrëveshje ndërkombëtare. Normalisht, nuk është me detyrim”, sqaroi ai.
Më tej, kreu i Grupit Parlamentar socialist nënvizoi se ndryshimet kushtetuese duhet të votohen me të paktën 2/3 e votave në Kuvend, e më pas kalohet në referendum.
Kategoritë e referendumeve sipas draftit të socialistëve:
I përgjithshëm, për shfuqizim ligji apo ratifikimin e një ligji të veçantë
I pushtetit vendor: formë që u jep mundësi zgjedhësve të regjistuar në bashki, apo në nivel qarku, të bëjnë një referendum për një çështje të qeverisjes vendore
Kur ka vlerë referendumi?
Projekti parashikon shumicë të ndryshme për vlefshmërinë e një referendumi. Dispozitat kushtetuese që i nënshtrohen referendumit, miratohen kur më shumë se gjysma e të gjithë zgjedhësve të regjistruar kanë votuar pro tyre.
Referendumi për shfuqizimin e një ligji është i vlefshëm nëse në të marrin pjesë të paktën 40% e zgjedhësve të regjistruar. Ne kemi parë në disa vende që për nga rëndësia e çështjes që shtrohet, si rasti i Italisë, kishim të bënim me ndryshime të një natyre kushtetuese dhe ishte e domosdoshme pjesëmarrja mbi 50%.
Në rastin tonë, kur bëhet fjalë për çështje të kësaj natyre, edhe nëse kalohet me 2/3 e anëtarëve në Kuvend, do të duhet të plotësohet kuorumin minimal, 50% + 1 e zgjedhësve.
Rezultati është i vlefshëm kur vota përbën të paktën 30% të numrit total të zgjedhësve të regjistruar për çështje të natyrës së veçantë dhe të paktën që në favor të çështjes të jenë shprehur 25% e numrit total. Kërkon një lloj legjitimeti demokratik”, argumentoi Balla.
Sipas kreut të grupit mazhoritar, ky proces nuk duhet të marrë më shumë se 3 muaj. Ndërkohë, u shpreh se do të vijojnë konsultimet si në Tiranë ashtu edhe në qytetet e tjera.
“Kuvendi më efikas me 101 deputetë”
Sa i takon ligjeve që marrin dritën jeshile në sallën e Parlamentit, Balla qartësoi se “asgjë nuk kalon në Kuvend pa miratimin e Komisionit Europian”.
“Ne konsultohemi në mënyrë të përditshme”, deklaroi socialisti.
Shtuar këtu, theksoi se, ndryshimi i numrit të deputetëve në Kuvend nuk përmendet në asnjë nga grup-kapitujt e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.
Megjithatë, vizioni i shumicës (që prej vitit 2018) është që numri të shkojë nga 140 në 101 deputetë.
“Mendojmë se një numër më i vogël i anëtarëve në Kuvend e bën jetën parlamentare më efikase, më shumë ekspertizë e ndarë në sektorët jetikë”, tha ai.
“Garë e fortë që nuk dihet kush do fitojë”, ironizoi kështu procesin e zgjedhjes së kryetarit të PD-së.
Po a është PS e hapur për dialog me opozitën?
“Për ligjin organik të Kuvendit kemi kërkuar një takim me krerët e grupeve parlamentare, një ligj i domosdoshëm. Jemi i vetmi institucion që nuk kemi rregulluar veten tonë, është bërë një punë 2-3 vjeçare nga shërbimet e Kuvendit. Në themelin e parlamentarizmit është deputeti, pastaj kush ka 71 ka qeverinë, kush ka më pak është në opozitë”, u përgjigj Balla.
Ndërsa për ligjin për referendumin, u bëri ftesë që sot kundërshtarëve politikë që të ulen bashkë për të diskutuar.