Paketa 2026: Mbështetje 7-10 mijë euro për të rinjtë që hapin biznese blegtorale

TIRANË, 18 shkurt/ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla deklaroi sot se për herë të parë këtë vit do të mbështeten të rinjtë dhe të rejat që duan të hapin një biznes, kryesisht në sektorin e blegtorisë.
Gjatë konferencës për mediet, ku prezantoi Paketën e Mbështetjes për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural për vitin 2026, ministri bëri të ditur se mbështetja financiare për secilin përfitues do të jetë nga 7 deri në 10 mijë euro.
“Një nga elementët kryesorë të paketës është mundësia që të rinjtë 18-35 vjeç të përfitojnë këtë mbështetje financiare për të hapur bizneset e tyre, kryesisht në blegtori”, deklaroi Salla.
Ai theksoi se përfshirja e të rinjve dhe të rejave në këtë program është thelbësore për rritjen e sektorit dhe për një zhvillim më të qëndrueshëm të bujqësisë shqiptare.
Ministri bëri të ditur se mbështetja do të jepet në formë granti dhe do të jetë pjesë e paketës së gjerë të vitit 2026, e cila synon rritjen e prodhimit, formalizimin e tregut dhe zhvillimin e qëndrueshëm rural.
/a.f/r.e/