Përplasja Rama-Veliaj, Noka: Gogu komunikoi në emër të kryeministrit me gjuhë mafioze, shteti është kthyer në bandë! Pse heshtin në PS? Rama i mban peng
Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka komentuar përplasjen Rama-Veliaj dhe vizitënh e ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu në burgun e Fierit, duke i cilësuar zhvillimet si tipike për klanet mafioze.

Në News24, Noka u shpreh se gjuha e përdorur në këtë komunikim nuk mund të jetë ajo e një përfaqësuesi të shtetit, ndërsa shtoi se Veliaj është përballur me një kërcënim tipik mafioz në emër të kryeministrit Edi Rama.
“Erion Veliaj, me këtë gjuhë që komunikoi Toni Gogu në emër të Edi Ramës, është përballur me një kërcënim të pastër mafioz. Dhe kur këtë gjuhë të kërcënimit mafioz e përdor një kryeministër, kjo tregon se nuk ka më shtet. Këtu shteti është kthyer në bandë dhe funksionon si bandë. Dhe një orë e më parë duhet të çlirohet ky vend nga kjo bandë. Ky është kulmi”, u shpreh Noka.
I pyetur se përse anëtarët e Partisë Socialiste nuk reagojnë, Noka tha se kjo parti nuk funksionon në mënyrë të lirë dhe se Rama i mban peng pasi i përfshin në afera korruptive.
“Nuk është parti e lirë. Aty Edi Rama ka funksionuar me kodin e mafies. I merr, i korrupton, i bën një dosje dhe i mban peng të gjithë”, deklaroi ai.
Sa i përket mundësisë së thirrjes së ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, në interpelancë, Noka u shpreh se kjo nuk do të kishte vlerë në kushtet aktuale.
“Gjithçka mund të bëhet, por këtu nuk ka asnjë gjë me vlerë. Këto janë këmbana të rënda alarmi për t’u ngritur të gjithë dhe për ta rrëzuar. Pastaj, çdo gjë tjetër është e pavlerë”, tha deputeti.
Noka: Ajo që ndodhi ishte tipike për klanet mafioze, me dërgimin e Toni Gogut dhe me transferimin e Erion Veliajt në burgun e Fierit. Ajo gjuhë e përdorur kurrë nuk mund të përdoret nga shtetarët. Atë gjuhë e përdorin vetëm klanet e mafies. Kjo është alarmante dhe është një tregues akoma edhe më alarmant për gjendjen në të cilën ndodhet demokracia në Shqipëri. Të them të drejtën, po të mos e kishte konfirmuar vetë Toni Gogu, unë do ta kisha të vështirë ta besoja. Sepse nuk mund ta perceptoj kurrë që një shtetar të përdorë gjuhën dhe komunikimet e stilit dhe të kërcënimeve mafioze.
Një gjë di t’ju them, e kemi denoncuar që në fillim se ndaj Erion Veliajt, kundërshtarit tonë politik, po përdorej një gjuhë e tillë. Erion Veliaj, me këtë gjuhë që komunikoi Toni Gogu në emër të Edi Ramës, është përballur me një kërcënim të pastër mafioz. Dhe kur këtë gjuhë të kërcënimit mafioz e përdor një kryeministër, kjo tregon se nuk ka më shtet. Këtu shteti është kthyer në bandë dhe funksionon si bandë. Dhe një orë e më parë duhet të çlirohet ky vend nga kjo bandë. Ky është kulmi.
Pse heshtin në PS?
Noka: Nuk është parti e lirë. Aty Edi Rama ka funksionuar me kodin e mafies. I merr, i korrupton, i bën një dosje dhe i mban peng të gjithë. Kjo është heshtja. Iu bën nga një dosje, i fut nëpër afera dhe i mban peng. Kush del nga vatha, e kërcënon me burg. Kështu ia bëri Ahmetajt, ia bëri Veliajt. Kujtdo ia bën.
Do ta thërrisni në interpelancë ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu?
Noka: Gjithçka mund të bëhet, por këtu nuk ka asnjë gjë me vlerë. Këto janë këmbana të rënda alarmi për t’u ngritur të gjithë dhe për ta rrëzuar. Pastaj, çdo gjë tjetër është e pavlerë.
A shihni ndonjë plan të Veliajt?
Noka: Unë nuk hyj dot në këtë lloj analize se çfarë plani ka ai. Problemi është kur një kryetar bashkie i kryeqytetit kërcënohet me jetë nga kryeministri i vendit, këtu ka vdekur gjithçka dhe shteti nuk ekziston.