E Diel, 1 Nëntor 2026

Pakot e drogës me mbishkrimet “Paris”, “Leon”! Dalin pamjet nga operacioni “Ura”, sekuestrohen çanta me mijëra euro pas goditjes së grupit italo-shqiptar

Antimafia italiane ka publikuar pamjet nga operacioni i përbashkët “Ura” mes Shqipërisë dhe Italisë. Kontrolle të imtësishme me qen, çanta të mbushura me para, pako me drogë, pasaporta, shënime, etj, janë sekuestruar nga autoritetet.

Megaoperacioni mes autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane po zhvillohet prej mbrëmjes së djeshme.

Operacioni i koduar “Ura” kundër trafikut ndërkombëtar të drogës, pastrimit të parave dhe shpërdorimit të detyrës, po zhvillohet nga Drejtoria e Hetimit Antimafia e Barit dhe autoritetet shqiptare, me ndihmën e Interpolit, policisë shqiptare, me urdhër të Drejtorisë së Qarkut Antimafia të Barit dhe SPAK, si dhe me koordinimin e Eurojust dhe Drejtorisë Antimafia të Romës.

Deri më tani si rezultat i këtij operacioni janë lëshuar 52 urdhërarrreste në disa qytete, përfshi Durrës, Vlorë, Fier dhe mësohet se janë sekuestruar miliona euro pasuri.

Sipas burimeve është lëshuar urdhër arrest për Ervis Doçin, i njohur në Durrës si Visi i Pojës. Një vit më parë në banesën e  tij u zhvilluan kontrolle ku u gjetën rreth 3 milionë euro cash.

Po ashtu urdhërarrest është lëshuar edhe për administratorin e një kompanie udhëtimi, Ligor Çombashi në Fier, si dhe për një avokat në Durrës Armand Tragaj, për një ish punonjës policie dhe për një person të identifikuar si Orges Molla.

Lënda narkotike kokainë nisej nga Ekuadori drejt portit të Roterdamit në Holandë dhe më pas në Bari të Italisë.

Nga aty shpërndahej në qytete të tjera të Italisë, por edhe shtete të tjera të BE.

Droga e presuar kishte logo të ndryshme, përfshirë emra si Audi, Paris dhe Leon.

Këto emërtime janë vendosur sipas vendeve ku nisej apo mbërrinte droga.

Ndërkohë, lënda narkotike heroinë dërgohej nga Shqipëria në Itali përmes autobusëve të linjave të Barit dhe jo vetëm.

E njëjta rrugë përdorej nga autobusët për sjelljen e sasive të mëdha të parave në Shqipëri.

Nga kontrollet, përveç lëndës narkotike dhe shumave me para, janë gjetur lista ku shënoheshin shumat a parave dhe të shpërndarjes së drogës.

Grupi kriminal i goditur i shqiptarëve i kishte rolet e ndara, sipas funksioneve që kryenin, nga porositësitë tek ata që kalonin lëndën narkotike për në Itali./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›