E Hënë, 2 Nëntor 2026

Panairi i karrierës dhe i punës,këtë vit, eventi është zhvendosur në bashkinë Malësi e Madhe

Këtë vit, Panairi Rajonal i Karrierës dhe i Punës ka udhëtuar drejt Malësisë së Madhe. Synimi i organizatorëve është zgjerimi i mundësive dhe aksesit në tregun e punës për të gjithë rajonin.

Panairi Rajonal i Karrierës dhe Punës, i organizuar nga Këshilli i Qarkut Shkodër, këtë herë u zhvillua në Malësinë e Madhe. Organizatorët vendosën që këtë edicion ta sjellin më pranë të rinjve dhe punëkërkuesve të Malësisë së Madhe, me synimin për të zgjeruar mundësitë dhe aksesin në tregun e punës për të gjithë rajonin.

Kryetari i Këshillit të Qarkut Shkodër, Edmond Ndou, u shpreh se “Në qendër të Malësisë së Madhe keni mundësi të njiheni nga afër me bizneset që operojnë në tregun e qarkut Shkodër dhe më gjerë. Të zbuloni profilet më të kërkuara të punësimit, të përfitoni këshillim karriere, intervista të shpejta si dhe mundësi për internship-e dhe trajnime profesionale.”

Nga ana e tij, Tonin Marinaj, Kryetar i Bashkisë Malësi e Madhe, theksoi se “Është hera e parë që në Malësi të Madhe zhvillohet një aktivitet i tillë. Në këtë panair marrin pjesë 25 biznese nga Malësia, pa llogaritur edhe bizneset e tjera nga Shkodra dhe zona të tjera të qarkut.”

Teuta Qyteza Shala, Zëvendëskryetare e Bashkisë Shkodër, u shpreh se “Ky aktivitet bashkëlidh idetë universitare me tregun e punës. Kjo është shumë e rëndësishme për të pasur një punësim korrekt dhe për të zhvilluar karrierën në të ardhmen për secilin.”

Gjatë panairit, pjesëmarrësit patën mundësinë të zhvillonin takime të drejtpërdrejta me punëdhënës, të njiheshin me ofertat e vendeve të lira të punës, programet e praktikave profesionale dhe trajnimet e disponueshme.

Po ashtu, panairi u shndërrua në një hapësirë bashkëpunimi ku u shkëmbye informacion dhe u krijuan partneritete të reja në funksion të zhvillimit ekonomik e social të qarkut.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›