Tirana do të presë Samitin e NATO-s në 2027, qeveria ngre Task-Forcën e drejtuar nga Kryeministri

Në vitin 2027, Tirana do të jetë qyteti pritës i Samitit të NATO-s. Për këtë qëllim, Këshilli i Ministrave ka miratuar sot vendimin për ngritjen e strukturave të posaçme që do të merren me organizimin e këtij eventi madhor.
Me propozim të Kryeministrit, qeveria ka vendosur krijimin e “Host Nation Task Force” (HNTF) dhe të Skuadrës Kombëtare të Organizimit, dy struktura që do të kenë përgjegjësinë e plotë për mbarëvajtjen e samitit.
Task-Forca e nivelit të lartë
Sipas vendimit të marrë në mbledhjen e qeverisë, struktura kryesore vendimmarrëse, Task-Forca, do të kryesohet drejtpërdrejt nga Kryeministri. Në mungesë të tij, drejtimi i kalon Koordinatorit Kombëtar.
Pjesë e kësaj tryeze të rëndësishme do të jenë ministrat kyçë të kabinetit, përfshirë Ministrin e Jashtëm, të Mbrojtjes, të Brendshëm dhe të Financave, si dhe krerët e SHISH dhe Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
“Detyra e tyre do të jetë miratimi i agjendës politike, buxhetit dhe planit gjithëpërfshirës të sigurisë në bashkëpunim me strukturat aleate.”, përshkuhet në vendim.
Mobilizim total, nga siguria fizike te ajo kibernetike
Sipas vendimit, nën varësinë e Task-Forcës do të funksionojë Skuadra Kombëtare e Organizimit, e cila do të merret me detajet operacionale.
Kjo skuadër përfshin drejtuesit më të lartë të sigurisë dhe logjistikës në vend, si:
Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit;
Komandantin e Gardës së Republikës;
Drejtorin e SHISH;
Drejtorin e Aviacionit Civil dhe Albcontrol-it;
Krerët e Sigurisë Kibernetike dhe Informacionit të Klasifikuar.
Kjo skuadër do të ketë për detyrë të garantojë sigurinë e delegacioneve të larta, akomodimin, transportin, si dhe mbrojtjen nga sulmet kibernetike gjatë ditëve të Samitit.
Për të koordinuar këtë operacion, do të ngrihet një shtab i përhershëm me personel civil dhe ushtarak, i cili do të funksionojë në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes, pranë garnizonit “Skënderbej” në Tiranë.
Vendimi parashikon gjithashtu punësimin e ekspertëve vendas dhe të huaj për të asistuar në organizimin e një eventi të këtyre përmasave, ndërkohë që fondet do të përballohen nga buxheti i shtetit. Ky vendim shënon nisjen zyrtare të numërimit mbrapsht për Samitin e vitit 2027.
/rtsh.al/