“Paramount” do t’i paguajë Trump 16 milionë dollarë për redaktimin e intervistës “60 Minuta”

UASHINGTON, 2 korrik /ATSH/- “Paramount” ka rënë dakord të paguajë 16 milionë dollarë për të zgjidhur një padi të ngritur nga presidenti amerikan, Donald Trump në lidhje me montazhin e intervistës “60 Minutes” të CBS me ish-zëvendëspresidenten Kamala Harris në tetor, sipas AP.
“Paramount” u tha medieve se paratë do të shkonin në bibliotekën e ardhshme presidenciale të Trump, jo për vetë presidentin. Kompania tha se marrëveshja nuk përfshinte një kërkimfalje.
Avokati i Trump tha se presidenti kishte përjetuar “ankth” për montazhin e intervistës nga “CBS News”, ndërsa “Paramount” dhe CBS hodhën poshtë pretendimin e tij se intervista ishte montuar për të nxjerrë më mirë imazhin e Harris. Ata kërkuan që padia e Trump të rrëzohej.
Nuk kishte asnjë njoftim të menjëhershëm nga Shtëpia e Bardhë në lidhje me zgjidhjen e çështjes, të cilën Trump e ngriti në Amarillo, Teksas.
Çështja është ndjekur nga afër nga avokatët e lirisë së shtypit dhe nga gazetarët brenda CBS, avokatët e të cilëve e quajtën padinë e Trump “plotësisht pa meritë” dhe premtuan ta luftojnë atë me forcë pasi të ngrihej.
Në fillim të shkurtit, “60 Minutes” publikoi një transkript të plotë dhe të paredaktuar të intervistës.
“Sipas marrëveshjes së arritur me ndihmën e një ndërmjetësi, “Paramount” pranoi që “60 Minutes” do të publikojë transkripte të intervistave të ardhshme të kandidatëve presidencialë, ku nënshtrohen redaktimeve sipas kërkesës për shqetësime ligjore dhe të sigurisë kombëtare”, tha CBS News. //a.i/