Parandalimi i përmbytjeve në Shkodër – Bashkia Shkodër, Bordi Kullimit dhe AKMC investime në kanale kulluese

Bashkia Shkodër, në bashkëpunim me Bordin e Kullimit, ka nisur pastrimin e kanaleve kulluese në disa njësi administrative të bashkisë, me qëllim parandalimin e përmbytjeve gjatë sezonit të reshjeve të dimrit.
Sipas Bekim Memës, Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik në Bashkinë Shkodër, punimet janë përqendruar në zonat ku është evidentuar nevoja më e madhe për ndërhyrje.
“Bashkëpunimi shumë i rëndësishëm është ai me Bordin e Kullimit, për pastrimin e kanaleve. Aktualisht jemi duke kryer punime në zonën e Anës së Malit. Gjithashtu, bashkia po vijon me pastrimin e kanaleve në zonën e Dajçit dhe të Berdicës,” deklaroi Mema.
Një tjetër investim i rëndësishëm për parandalimin e përmbytjeve pritet të nisë së shpejti, në bashkëfinancim mes Bashkisë Shkodër dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC). Projekti përfshin vendosjen e tombinove dhe ndërtimin e skarpatave përgjatë gjithë gjatësisë së kolektorit kryesor të qytetit.
“Një tjetër investim shumë i rëndësishëm për parandalimin e përmbytjeve është ai që do të nisë së shpejti dhe ka të bëjë me ndërtimin e urave, bokseve dhe skarpatave në kolektorin kryesor të qytetit. Pas pastrimeve që janë realizuar gjatë këtij viti dhe vitit të kaluar, tashmë kemi një fond të bashkëfinancuar nga Bashkia dhe AKMC për ndërtimin e bokseve në të gjithë shtrirjen e kolektorit, i cili do të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në zgjidhjen e problematikave,” sqaroi Mema
Punimet për pastrimin e kanaleve kulluese do të vijojnë edhe në ditët në vijim, me synimin për të shmangur përsëritjen e problematikave të viteve të kaluara gjatë reshjeve intensive.
Autoritetet lokale bëjnë apel për bashkëpunim nga komuniteti dhe aktorët e tjerë institucionalë, në mënyrë që investimet e bëra të sjellin rezultate konkrete në përmirësimin e infrastrukturës së kullimit dhe në parandalimin e përmbytjeve në territorin e Bashkisë Shkodër.
/rtsh.al/