E Diel, 1 Nëntor 2026

Parandalimi i përmbytjeve, shemben ndërtimet mbi kanalin e ujërave të larta në Vlorë

TIRANË, 24 mars/ATSH/ Në qytetin e Vlorës ka nisur aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje mbi kanalin e ujërave të larta, me qëllim evitimin e të gjitha problematikave që shkaktojnë përmbytje në qytet.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ky aksion, ndërsa vlerësoi nismën e marrë nga kryebashkiakja e Vlorës, Brunilda Mersini.

Rama vlerësoi se kanali i ujërave të larta, në bashkinë e Vlorës, do të kthehet nga një arterie e ngushtuar dhe e ndotur që nxiste përmbytjen e qytetit, në një korridor të gjelbër.

“Një nismë e bukur e kryetares së bashkisë, që e ka nisur me hapat e duhur mandatin e saj”, vlerësoi Rama.

Puna për prishjen e ndërtimeve pa leje mbi kanalin e ujërave të larta në Vlorë do të vijojë me intensitet, me qëllim që qyteti bregdetar të mos përballet më me situatat e përmbytjeve, që janë regjistruar gjatë stinës së dimrit.

/m.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›