Parku Fotovoltaik i Karavastasë, Haddad: Thellim i marrëdhënieve mes Francës dhe Shqipërisë, klimë e jashtëzakonshme biznesi

TIRANË, 10 prill/ATSH-Maela Marini/ Ministri i deleguar i Francës për Çështjet Evropiane, Benjamin Haddad vlerësoi sot lidhjet që janë vendosur në sektorin e ekonomisë mes Shqipërisë dhe Francës në fushën e mbrojtjes dhe të energjisë, ndërsa theksoi se “kjo tregon rrugën europiane që ka Shqipëria”.
Në përurimin e parkut Fotovoltaik të Karavastasë, më i madhi në Ballkanin Perëndimor, ministri francez vlerësoi se ky projekt pasqyron thellimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Francës dhe Shqipërisë pas vizitës së Presidentit Macron në Shqipëri dhe vizitës së kryeministrit Rama në Francë.
“Voltalia është produkt i kësaj si investitori më i rëndësishëm francez në Shqipëri me projektin e Karavastasë dhe Spitallës”, tha Haddad, ndërsa u shpreh se kjo tregon thellimin e marrëdhënieve ekonomike dypalëshe.
Haddad nënvizoi se ky është prodhuesi i dytë më i rëndësishëm në Shqipëri i energjisë diellore, ndërsa vlerësoi klimën e besimit dhe të transparencës ku u zhvillua ky projekt.
“Kjo klimë e jashtëzakonshme biznesi përforcon interesin e ndërmarrjeve franceze për Shqipërinë që është në rritje. Këto progrese i bëjnë të mundur Shqipërisë që të ecë me vendosmëri drejt Bashkimit Europian duke hapur bllokun e kapitujve të negociatave për tregun e brendshëm, javët e ardhshme, bazuar në projekte ambicioze të zhvilluara nga pala shqiptare në rrugën e reformave”, tha Haddad.
Në këtë drejtim, Haddad theksoi se zgjerimi përbën një domosdoshmëri politike për të garantuar sigurinë mes vendeve fqinje, ndërsa Moska vazhdon luftën agresive ndaj Ukrainës me axhendën imperialiste në kufijtë e Europës.
“Është gjithashtu zgjedhje vlerash. Ne mbështesim një vend që ka zgjedhur t’i bashkohet komunitetit tonë të bashkuar në vlerat e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Ky orientim përputhet me interesat tona ekonomike, me prosperitetin e kontinentit europian dhe thellimin e tregut të tij të përbashkët”, tha ministri francez.
Haddad theksoi se “procesi i integrimit është stimul i fuqishëm për shkëmbime tregtare dhe jep mundësi të jashtëzakonshme për ndërmarrjet tona”.
“Me miratimin vitin e kaluar të Planit të Rritjes janë mobilizuar 6 miliardë euro për të vendosur konvergjencën me normat europiane. Rruga europiane për Shqipërinë krijon mundësi ekonomike për sipërmarrjet tona dhe sipërmarrjet europiane. Shqipëria prodhon energji 100% të çkarbonizuar falë paneleve elektrike. Statistikat janë domethënëse dhe tregojnë mirëkuptimin e politikës shqiptare me pozicionin tonë energjetik”, shtoi ai.
Haddad nënvizoi se Pakti i Gjelbër Europian i miratuar në vitin 2019 synon ta bëjë BE-në neutrale në planin e karbonit deri në vitin 2050.
Sipas tij, “Shqipëria mund të luajë rol për arritjen e këtij objektivi europian”.
“Inkurajoj vullnetin e pushtetit politik në Shqipëri për ta diversifikuar elektricitetin e çkarbonizuar falë energjisë diellore dhe të erës dhe projekteve të tilla si Karavastaja, që kontribuon për sovranitetin energjetik të kontinentit tonë. Në kontekstin gjeopolitik nënvizoj domosdoshmërinë për ta pakësuar varësinë në planin energjetik. Ndaj jam krenar që shoh ekspertizën franceze në shërbim të këtyre projekteve, shmangien e shkarkesave të karbonit në sektorin industrial në Shqipëri, shtuar kësaj edhe hapjen e centralit të Spitallës deri në vitin 2027”, tha ministri francez. /j.p/