E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas përmbytjeve dhe humbjes së një jete, Prokuroria e Durrësit nis hetimet, dyshime për shpërdorim detyre

Situata e rëndë e krijuar nga reshjet e dendura, dëmet e shumta materiale dhe humbja e një jete njerëzore kanë vënë në lëvizje organin e akuzës. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës njoftoi sot zyrtarisht nisjen e hetimeve kryesisht për tre vepra penale, pas kaosit të shkaktuar nga moti i keq në qytetin bregdetar.

Sipas njoftimit të prokurorisë, procedimi penal është regjistruar për veprat: “Shpërdorimi i detyrës” (neni 248), “Shkatërrimi i pronës me përmbytje” (neni 153) dhe “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia” (neni 161).

Sipas njoftimit zyrtar, vendimi për nisjen e hetimeve erdhi pas analizimit të situatës dy-ditore, ku problematikat ishin të dukshme dhe prekën drejtpërdrejt sigurinë e qytetarëve. Prokuroria thekson se gjendja e krijuar pengoi zhvillimin normal të aktiviteteve jetike:

U bllokuan aktivitetet arsimore, shëndetësore dhe shtetërore;

U bllokuan rrugët urbane dhe interurbane;

U përmbytën banesa të shumta;

U përmbyt institucioni i vuajtjes së dënimit (burgu), duke vendosur në gjendje emergjence të gjithë qarkun.

Organi i akuzës vlerëson se “të gjitha këto elemente përbëjnë të dhëna të mjaftueshme se jemi përpara një fakti penal“.

Një nga pikat e hetimit lidhet me vdekjen e shtetasit me inicialet A.H., punonjës i Ndërmarrjes Komunale Plazh. Sipas të dhënave paraprake të siguruara nga Prokuroria, dyshohet se vdekja e tij ka ardhur drejtpërdrejt si pasojë e situatës atmosferike dhe infrastrukturore, pasi dyshohet se ai “është marrë nga rrjedhja e ujit e shkaktuar në vend”.

Prokuroria e Durrësit bën me dije se “qëllimi i këtij procedimi është të ndajë përgjegjësitë“.

Sipas prokurorisë, hetimi do të analizojë nëse shkaqet e dëmeve dhe humbjes së jetës ishin tërësisht natyrore, apo erdhën si pasojë e pakujdesisë dhe mospërmbushjes së detyrës nga ana e organeve të vetëqeverisjes vendore dhe atyre shtetërore.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›