E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbytjet në Durrës, ministrja Koçiu: Nis evakuimi në Sukth dhe Katund të Ri, prioritet jeta e qytetarëve

Situata e rënduar nga reshjet e dendura të shiut në qarkun e Durrësit ka vënë në lëvizje të gjitha strukturat shtetërore. Pas përfundimit të mbledhjes urgjente të Shtabit të Emergjencave Civile në Prefekturën e Durrësit, Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, konfirmoi se në disa zona ka nisur evakuimi i detyruar i banorëve për të shmangur rrezikun për jetën.

Sipas Ministres Koçiu, situata ka pësuar një përkeqësim gjatë 24 orëve të fundit. Dy pikat më kritike ku po përqendrohet operacioni janë njësia administrative Sukth (fshati Vadardhë) dhe Katundi i Ri.

“Këto janë dy zonat më të nxehta ku është instaluar plani i evakuimit. Forcat e Armatosura, Emergjencat Civile dhe Policia e Shtetit janë duke bashkëpunuar ngushtësisht në terren për të koordinuar largimin e banorëve,” deklaroi Koçiu.

Bilanci paraprak, 20 familje të evakuuara

Deri në orën 16:00, autoritetet raportojnë se rreth 20 familje janë evakuuar nga zonat e rrezikuara në Vadardhë dhe Katund të Ri. Ministrja theksoi se shifra është dinamike dhe operacioni vijon banesë më banesë.

Për strehimin e këtyre familjeve janë vënë në dispozicion struktura hoteliere, si dhe Shtëpitë e Pushimit (Konvaleshenca) të Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Mbrojtjes. Rezervat Materiale të Shtetit janë aktivizuar për të furnizuar me bazë materiale të gjithë mekanizmin e emergjencës.

Një thirrje ministrja Koçiu drejtoi edhe ndaj banorëve të zonave të prekura, duke kërkuar që të mos ndërmarrin iniciativa personale për t’u larguar, por të presin dhe të besojnë tek autoritetet.

“Thirrja ime është që të ndjekin udhëzimet e ekipeve të emergjencës. Të mos ndërmarrin masa vetë për të lënë banesën apo për të gjetur zgjidhje alternative, pasi strukturat tona e dinë saktësisht mënyrën e sigurt të zhvendosjes,” u shpreh ajo, duke nënvizuar se në këtë moment prioritet absolut është jeta e njerëzve dhe jo pronat.

Dëmshpërblimet

Lidhur me dëmet materiale, Ministrja siguroi se Bashkia e Durrësit ka nisur tashmë procesin e evidentimit, por vlerësimi i plotë dhe plani i zhdëmtimit do të bëhen vetëm pasi të jetë garantuar siguria e jetës së çdo qytetari dhe të ketë kaluar faza e emergjencës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›