“Pastrohet” qendra e Thethit, hiqen kabinat, aksioni do të vijojë në zona të tjera të Parkut Kombëtar

24 orë pas nisjes së aksionit të ndërmarrë nga Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit dhe Policia Bashkiake, sheshi pranë kishës simbol të qendrës së Thethit është tashmë tërësisht i boshatisur.
11 kabinat që ndodheshin në këtë hapësirë janë hequr, ndërsa aksioni do të vijojë pasi në total do të prishen 40 objekte të ngritura në këtë park kombëtar, që gëzon në letra statusin e zonës së mbrojtur, por që në territor ka njohur këto vite një masakër urbane.
Një pjesë e banorëve shprehen kundër prishjeve.
Aksioni në Theth u ndërmor pas denoncimit publik të kryeministrit Edi Rama, i cili i cilësoi këto struktura si ndërtime pa leje, duke e konsideruar operacionin si një përpjekje për të “shëruar” Thethin.
Ky denoncim solli edhe një përplasje verbale mes kreut të qeverisë dhe Prokurorisë së Shkodrës.
Edhe në Durrës vijon prej dy ditësh aksioni për lirimin e hapësirave publike. Aksioni i sotëm është përqendruar në lagjen nr.4, pranë Stacionit të Trenit, ku janë hequr struktura metalike, kioska etj.
Efektivët u kërkuan subjekteve private që ushtrojnë aktivitetin aty, kryesisht bar-kafe, fast food etj të largonin tavolinat e karriget dhe të gjitha tendat apo çadrat e vendosura pa leje në trotuaret e Rrugës Tregtare./vizionplus.tv