Përleshje natën në lokal,dy të plagosur në Tiranë
TIRANE - Sherr në një lokal në rrugën e Kavajës në Tiranë, dy persona plagosen, ndërsa dy të tjerë akuzohen për plagosje të rëndë. Njëri prej autorëve të ngjarjes është arrestuar, ndërsa tjetri është shpallur në kërkim nga policia, e cila është vënë në ndjekje të tij. Erjon Hysenaj, 20 vjeç, banues në Tiranë, është arrestuar nga policia me akuzën e plagosjes dhe rrahjes në bashkëpunim të Armand Mziut, 30 vjeç dhe Haki Lamçes. Këta të fundit, sipas burimeve të policisë, kanë qenë të gjithë së bashku në lokal, pak kohë para konfliktit. Sipas burimeve zyrtare të policisë së kryeqytetit, ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në një lokal në rrugën e Kavajës. Të dy grupet e personave kanë qenë duke konsumuar birrë e pije të ndryshme alkoolike. Rreth orës 02:00 pas mesnate, kur të gjithë protagonistët e ngjarjes kishin disa orë që konsumonin alkool, ka ndodhur edhe mosmarrëveshja. Gjatë një shkëmbimi të tyre në tavolina, personat, sipas burimeve të policisë kanë nisur të provokohen, ndërsa më pas ka nisur sherri. Sipas policisë, 20-vjeçari Hysenaj ka qëlluar me shishe birre në trup Armand Mziun, 30 vjeç nga Elbasani, banues në Tiranë. Më pas në konflikt sipas specialistëve të policisë janë përfshirë edhe Luan Mejdani, 34 vjeç si dhe Haki Lamçja, 29 vjeç. Ky i fundit ka mbetur i plagosur ashtu si shoku i tij, Armand Mziu. Të dy të dëmtuarit janë dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak, ku kanë dalë nga rreziku për jetën. Policia ka identifikuar autorët e konfliktit, duke ndaluar Hysenajn dhe ka shpallur në kërkim bashkëpunëtorin e tij. d.b