Pelegrinazhi bektashi në Greqi, Kryegjyshi Botëror Brahimaj: Teqeja në Larisa të jetë trashëgimi e Kryegjyshatës

E shndërruar në një traditë disa vjeçare, pelegrinazhi i Teqesë Bektashiane e Turballi Sulltanit mblodhi në Larisa të Greqisë, besimtarë nga Shqipëria Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Hungaria, Turqia e vetë Greqia. Besimtarët, edhe pse në kushte jo të favorshme moti, u lutën në këtë mjedis të shenjtë, tempull të paqes dhe dashurisë njerëzore, që fton të gjithë njerëzit, pa dallim besimi, bindje, tradite, feje apo kombësie, të jetojnë në harmoni, mirëkuptim dhe vëllazëri njerëzore.
Mbasi u respektuan himnet kombëtare të Greqisë, Shqipërisë dhe Botëror Bektashian, Shenjtëria e tij Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj vlerësoi këtë tempull si urë lidhëse midis besimit popujve.
“Si besimtarë duke parë që drita e Haxhibektashit prej 800 vjetësh nuk është shuar. Edhe ne vijmë e kujtojmë në çdo 1 maj këtë ditë nëtë cilën marrim urata, bekime. Lutemi Zotit”, tha Baba Edmond Brahimaj.
Kryegjyshi Botëror vlerësoi kontributin e shqiptarëve në ruajtje të identitetit dhe kombit.
“Shqipëria asnjëherë s’ka për t’u shuar, por dhe ju që bëni punë këtu në këtë shtet të bekuar, Greqinë, që punoni prej 30 ca vjetësh, keni dhënë mundë, djersë dhe gjak për të mbajtur familjen tuaj, por dhe i keni bërë nder këtij shteti me veprat e mira që bëni ju dhe familjet tuaja”, u shpreh Kryegjyshi Botëror.
Kryegjyshi Baba Dede Edmond Brahimaj shprehu besimin se nëpërmjet mirëkuptimit, bashkëpunimit, rrugëve ligjore do të mundësohet afirmimi i plotë i identitetit të kësaj teqeje si pjesë e trashëgimisë së Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.
Në përfundim të ceremonisë nuk mungoi lutja për paqe, dashuri dhe vëllazëri mes njerëzve, duke përçuar një mesazh shprese për shoqërinë e sotme njerëzore.
/rtsh.al/