E Hënë, 2 Nëntor 2026

Të dyshuar si autorë të 9 vjedhjeve në banesa në Tiranë, arrestohen 2 persona

Dy persona të dyshuar si autorë të një serie vjedhjesh banesash janë arrestuar në Tiranë, pas një operacioni policor të zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 1, në kuadër të hetimeve për zbardhjen e 9 rasteve të vjedhjeve të ndodhura gjatë muajve të fundit.

Në pranga kanë rënë I. G., 34 vjeç dhe A. M., 39 vjeç, të dy të dënuar më parë për vjedhje me dhunë dhe krime kundër personit. Sipas Policisë, ata janë kapur në flagrancë në rrugën “Panorama e Liqenit”, duke qarkulluar me një motomjet të dyshuar të vjedhur dhe duke mbajtur me vete sende të përdorura për kryerjen e vjedhjeve.

Gjatë kontrollit janë sekuestruar motomjeti, sende të vjedhura, armë të ftohta dhe materiale të tjera të kundërligjshme.

Nga veprimet hetimore rezulton se dy të arrestuarit dyshohen se kanë kryer 9 vjedhje në banesa, ku kanë marrë para, sende me vlerë dhe pajisje elektronike.

Policia vijon hetimet për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe për verifikimin e rasteve të tjera të mundshme të lidhura me ta. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›