E Hënë, 2 Nëntor 2026

Përballja Serbi-Shqipëri, atmosferë elektrizuese në Tiranë

TIRANË, 11 tetor /ATSH/ Kombëtarja shqiptare e futbollit po luan mbrëmjen e sotme ndaj Serbisë në stadiumin “Gradski stadion Dubočica”, në Leskovac, sfidë kjo e vlefshme për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës.

Ndërkohë atmosfera është elektrizuese edhe në Tiranë.

Në sheshin “Italia”, përballë stadiumit “Air Albania” në kryeqytet, janë mbledhur qindra tifozë kuq e zi, të cilët po ndjekin ndeshje nga ekrane të mëdhenj.

Ndeshja po ndiqet nga shqiptarët në të gjithë vendin, të cilët janë mbledhur në sheshet kryesore të qyteteve për të përjetuar emocionet e kësaj përballje sportive.

Përballja e sotme vendos shumë për vendin e dytë në grup, që do të thotë play-off për në Botëror.

Ndeshja e sotme është e katërta mes të dy ekipeve.

Shqipëria renditet e dyta në grupin K të eliminatoreve të Botërorit 2026 me 8 pikë pas 5 ndeshjeve, ndërsa Serbia renditet e treta me 7 pikë pas 4 ndeshjeve.

Grupi kryesohet nga Anglia me 15 pikë pas 5 ndeshjeve. Ekipi i renditur i dyti në grup shkon në “play off”-in për Botërorin 2026.

Nëse Shqipëria arrin të fitojë këtë ndeshje, do të shënonte një hap të madh drejt kualifikimit për Kupën e Botës 2026, që do të zhvillohet në SHBA. Ndërkohë, një fitore për Serbinë do të forconte pozitat e saj në grup.

1 nga 15

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›