E Hënë, 2 Nëntor 2026

Fitorja e Shqipërisë ndaj Serbisë, festë kuq e zi në sheshet dhe rrugët e Tiranës

TIRANË, 11 tetor /ATSH/ Fitorja e Kombëtares shqiptare 0-1 mbrëmjen e sotme ndaj Serbisë në stadiumin “Gradski stadion Dubočica”, në Leskovac, sfidë kjo e vlefshme për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës, ka ngritur peshë tifozët shqiptarë nga të gjitha trevat që kanë mbushur sheshet e qyteteve ku jetojnë, për të festuar fitoren e Kombëtares shqiptare ndaj asaj serbe.

Qindra persona kanë ngjyrosur sheshet dhe rrugët e Tiranës me ngjyrat kuqezi, duke festuar me këngë dhe valle patriotike si dhe duke i rënë borive të makinave.

Atmosfera festive ka përfshirë edhe Prishtinën ku mijëra tifozë kuq e zi kanë festuar në rrugë dhe sheshe me flamuj kuq e zi.

Fitorja e kuqezinjve erdhi pas golit të shënuar nga sulmuesi Rey Manaj në minutën e fundit të pjesës së parë, duke shlyer kështu edhe gabimin e bërë në ndeshjen e parë ku humbi 11-metërshin decciziv.

Goli i tij ka ngritur peshë mijëra tifozë të Kombëtares shqiptare anembanë botës, të cilët u ulën para ekraneve për të ndjekur këtë super-sfidë, në pamundësi për të shkuar në stadiumin në Serbi.

Pas kësaj fitoreje, Shqipëria renditet e dyta në grupin K të eliminatoreve të Botërorit 2026 me 11 pikë pas 6 ndeshjeve, ndërsa Serbia renditet e treta me 7 pikë pas 5 ndeshjeve.

Grupi kryesohet nga Anglia me 15 pikë pas 5 ndeshjeve. Ekipi i renditur i dyti në grup shkon në “play off”-in për Botërorin 2026.

Fitorja në këtë ndeshje shënon një hap të madh drejt kualifikimit për Kupën e Botës 2026, që do të zhvillohet në SHBA-Kanada dhe Meksikë.

/gj.m/ /a.g/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›