Përfaqësuesi i lartë i “Bordit të Paqes” për Gazën: Armëpushimi është në fuqi por larg të qenit perfekt

Përfaqësuesi i lartë i “Bordit të Paqes” për Gazën, Nickolay Mladenov, ka deklaruar se armëpushimi në enklavën palestineze është në fuqi por ka shënuar shkelje të përditshme, disa prej të cilave shumë serioze.
“Kemi një armëpushim. Ai po mbahet. Nuk është perfekt. Është larg së qenit perfekt. Ka shkelje çdo ditë dhe disa prej tyre janë shumë serioze”, tha Mladenov gjatë një konference për shtyp në Jerusalem.
Ai shtoi se rindërtimi i Gazës dhe pastrimi i rrënojave do të kërkojë një brez të tërë.
Armëpushimi në Gaza, i ndërmjetësuar nga SHBA mbetet në fuqi, por është ende i brishtë me akuza të ndërsjella për shkelje nga të dyja palët.
Mladenov, i emëruar si përfaqësues i lartë i “Board of Peace” të udhëhequr nga Trump, po punon për kalimin në fazën e dytë të planit, që përfshin çarmatimin e Hamasit dhe administrimin e Gazës nga një komitet teknokratik palestinez.
Situata humanitare në Gazë mbetet kritike, me sfida të mëdha për rindërtim dhe ndihmë. Shkeljet e përditshme vazhdojnë të rrezikojnë stabilitetin e armëpushimit.
/rtsh.al/