Turqia, operacion masiv kundër ISIS, arrestohen 324 personave gjatë aksioneve në 47 provinca

Një operacion masiv i shtrirë në të gjithë Turqinë ka përfunduar me prangosjen e 324 personave të dyshuar si pjesëtarë të organizatës terroriste ISIS. Aksioni i koordinuar nga Ministria e Brendshme goditi celulat në 47 provinca të ndryshme, duke vënë në shënjestër financuesit dhe personat me aktivitet të mëparshëm në radhët e ekstremistëve.
Ministria njoftoi përmes një deklarate zyrtare se lufta kundër terrorit nuk do të njohë ndalesë në asnjë moment të vitit. “Për paqen dhe unitetin e kombit tonë, ne vazhdojmë operacionet tona pa u lodhur, ditë e natë, 365 ditë të vitit”, deklaruan autoritetet turke duke konfirmuar vendosmërinë e tyre.
Edhe pse detajet mbi kombësinë e të ndaluarve mbeten ende mister, ky aksion konsiderohet si një goditje e fortë ndaj strukturave që kërcënonin sigurinë. Kujtojmë se Turqia është përballur shpesh me sulme vdekjeprurëse, ku më i rëndi mbetet ai i natës së Vitit të Ri në 2017 me 39 viktima.
Vetëm dhjetorin e kaluar, vendi u trondit nga një përplasje e armatosur në veriperëndim, ku humbën jetën tre policë dhe gjashtë ekstremistë. Ndërkohë, frika u rikthye sërish muajin e kaluar pas sulmit me armë zjarri pranë konsullatës izraelite në Stamboll.
/rtsh.al/