Përfundojnë punimet e urës “Bailey”, 12 fshatra dalin nga izolimi

TIRANË, 11 dhjetor/ATSH/ Punimet për ndërtimin e urës së tipit “Bailey” në fshatin Qafzezë janë në ditën e tyre të fundit, duke rikthyer plotësisht kalueshmërinë për banorët e 12 fshatrave të bashkisë Kolonjë.
Prefekti i qarkut Korçë, Nertil Jole ishte në terren së bashku me kryebashkiakun e Kolonjës dhe majorin e Batalionit të Xhenios. Ura e fshatit Qafzezë u dëmtua rëndë si pasojë e reshjeve të pazakonta në qarkun e Korçës.
Jole tha se, puna është realizuar në harkun kohor të dy javëve.
“Që kur u sinjalizuam nga institucionet vendore për dëmtimin e urës, fillimisht u morën masa me Policinë e Shtetit për të mos rrezikuar jetën e banorëve, më pas u angazhuan inxhinierët e Autoritetit Rrugor Shqiptar për të bërë një propozim teknik që u përcoll në rrugë zyrtare pranë Ministrisë së Mbrojtjes”, tha prefekti i Korçës, duke falënderuar për reagimin e menjëhershëm.
Me dëmtimin e rëndë të urës, një komunitet prej 12 fshatrash nuk kishin një alternativë kalimi dhe duke parë këtë situatë, Prefektura Korçë e trajtoi situatën me prioritet të lartë.
Tashmë, me angazhimin maksimal të të gjitha strukturave, punimet janë drejt përfundimit dhe ura pritet të vihet shumë shpejt në funksion të komunitetit.
1 nga 12/r.e/a.f/