E Diel, 1 Nëntor 2026

Përplasja në protestën në Zvërnec, arrestohen edhe dy efektivë të sigurisë private që dëmtuan protestuesin

Dy efektivë të tjerë të sigurisë private janë arrestuar pas përplasjes dhe dëmtimit të një protestuesi gjatë tubimit në Portonovë, Zvërnec, ku banorët kundërshtojnë ndërtimin e një resorti me argumentin se do të dëmtohet biodiversiteti i zonës.

Në pranga kanë përfunduar A.G., 35 vjeç, dhe G.V., 41 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Vlorës u ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”.

Më herët për këtë ngjarje është arrestuar edhe G. Biba, i cili u filmua duke tërhequr zvarrë një protestues.

Sipas hetimeve, A.G. dhe G.V., në bashkëpunim me G. Bibën, kanë tërhequr me forcë drejt zonës së rezervuar për rojet private pjesëmarrësin në tubim, shtetasin E.S., duke i shkaktuar dëmtime trupore.

Nga verifikimet e kryera rezultoi gjithashtu se A.G. dhe G.V. nuk figurojnë të regjistruar apo të licencuar nga asnjë subjekt për ofrimin e shërbimeve private të sigurisë fizike.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›