E Hënë, 2 Nëntor 2026

Përplasja për Groenlandën-BE bën gati ‘armën tregtare’ ndaj SHBA-ve

Parlamenti Evropian planifikon t’i kërkojë Komisionit Evropian të nisë procedurën për aktivizimin e “armës” më të fuqishme tregtare të BE-së kundër Shteteve të Bashkuara.

Kryetari i Komisionit të Tregtisë së Parlamentit Evropian, Bernd Lange (socialdemokrat gjerman), tha për gazetarët në Strasburg se pritet që koordinatorët të vendosin të hënën për të kërkuar nisjen e procedurës së hetimit sipas Instrumentit Anti-Koercion (ACI).

“Sigurisht, deri të hënën ka ende shumë kohë dhe do të shohim çfarë do të ndodhë”, tha ai.

Kjo deklaratë vjen në kulmin e marrëdhënieve BE-SHBA në nivelin më të ulët të të gjitha kohërave, pas kërcënimeve të Presidentit Donald Trump për të marrë Groenlandën (territor vetëqeverisës danez) dhe për të vendosur tarifa ndaj vendeve evropiane që mbështesin Kopenhagenin.

Parlamenti Evropian formalisht ka ngrirë sot ratifikimin e marrëveshjes tregtare BE-SHBA të arritur verën e kaluar.

Deputeti suedez Karin Karlsbro (grupi liberal Renew) tha se “Evropa duhet të flasë gjuhën që kupton Trumpi. Jemi gati të ecim përpara me ACI-në. Nuk kemi kohë për të humbur.”

Nga ana tjetër, deputeti suedez i Partisë Popullore Evropiane Jörgen Warborn u shpreh më i kujdesshëm: “Është ende herët të vendosim” ndërsa shtoi se “duhet të koordinohemi më tej dhe të diskutojmë opsionet në rast veprimesh të mëtejshme. Asgjë nuk është jashtë tryezës.“

Liderët e BE-së po forcojnë pozicionin e tyre: Gjermania iu bashkua Francës duke thënë se do të kërkojë nga Komisioni të shqyrtojë aktivizimin e ACI-së në një takim emergjent të liderëve të enjten, nëse Trump nuk tërhiqet nga kërcënimet, sipas raportimeve të mëparshme.

Instrumenti Anti-Koercion (i njohur si “bazuka tregtare”) mund të aktivizohet me kërkesë të çdo pale të prekur, përfshirë Parlamentin Evropian.

Ai përfshin masa të gjera si tarifa, kufizime eksporti të mallrave strategjike, ose përjashtim të kompanive amerikane nga tenderat publikë.  

Vendimi për ta përdorur këtë “armë tregtare” nuk pritet të merret lehtë, pasi do të kishte ndikim të madh në ekonominë e BE-së, por shihet si mjeti kryesor për të mbrojtur interesat evropiane ndaj presioneve ekonomike që vijnë nga jashtë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›