Përplasjet me policinë, procedohet Adriatik Lapaj

TIRANË, 9 mars /ATSH/ Policia e Tiranës njoftoi sot se ka proceduar penalisht kryetarin e Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, si dhe dy anëtarë të tjerë të kësaj lëvizjeje.
Lapaj dhe dy anëtarët e kësaj lëvizjeje janë proceduar për tre vepra penale.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit Adriatik Lapaj, E. H. dhe A. B., për veprat penale ‘Pushtimi i tokës’, ‘Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme’ dhe ‘Prishja e qetësisë publike’, si dhe për shtetasin M. P., pasi nuk i është bindur urdhrave të punonjësve të Policisë në detyrë”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, policia bëri të ditur se janë referuar materialet në Prokurori dhe ka nisur procedimi penal për shtetasin A. L., pasi dyshohet se ka goditur me grushte shtetasin A. R.
Lëvizja “Shqipëria Bëhet” zhvilloi dje një protestë përpara kryeministrisë, ku pati dhe përplasje me forcat e rendit.
/a.f/