E Diel, 1 Nëntor 2026

Përshtatën lokalin në Tiranë për baste sportive dhe shitje droge, arrestohen pronari dhe një klient

Një operacion i Policisë së Tiranës ka zbuluar një lokal në bulevardin “Zhan d’Ark”, i cili ishte përshtatur për përdorim dhe shitje të lëndëve narkotike, si edhe për organizimin e kundërligjshëm të lojërave të fatit.

Si rezultat i kontrolleve të kryera, u arrestuan në flagrancë dy shtetas, pronari i lokalit dhe një person që u kap duke vendosur baste sportive.

Në pranga ranë shtetasit me iniciale Z. T., 56 vjeç, pronari i lokalit, dhe G. E., 33 vjeç, i cili u kap në ambientet e biznesit duke luajtur baste sportive përmes telefonit celular.

Gjatë kontrollit në lokal, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi të lëndës narkotike të dyshuar Cannabis Sativa, si dhe tre telefona celularë, të cilët dyshohet se përdoreshin për organizimin e basteve sportive.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila do të vijojë hetimet për zbardhjen e plotë të aktivitetit të kundërligjshëm dhe përgjegjësive penale të personave të përfshirë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›