E Diel, 1 Nëntor 2026

Samiti i NATO-s, aleatët konfirmojnë angazhimin ndaj mbrojtjes kolektive, premtojnë 70 miliardë euro ndihmë ushtarake për Ukrainën

Liderët e vendeve anëtare të NATO-s, përfshirë presidentin amerikan Donald Trump, riafirmuan këtë të mërkurë angazhimin e tyre të palëkundur ndaj mbrojtjes kolektive sipas Nenit 5 të Traktatit të Uashingtonit, në deklaratën përfundimtare të miratuar në Samitin e Aleancës, të zhvilluar në Ankara.

Në deklaratën e përbashkët, krerët e shteteve dhe qeverive theksuan se “një sulm ndaj njërit është një sulm ndaj të gjithëve”, duke nënvizuar se uniteti, solidariteti dhe lidhja transatlantike mbeten baza e sigurisë së vendeve anëtare.

Një nga vendimet kryesore të samitit ishte angazhimi për të rritur mbështetjen ushtarake ndaj Ukrainës. Aleatët premtuan 70 miliardë euro ndihmë ushtarake, pajisje dhe trajnim për vitin 2026, ndërsa u zotuan të ruajnë të paktën të njëjtin nivel mbështetjeje edhe gjatë vitit 2027.

Po ashtu, vendet anëtare njoftuan më shumë se 50 miliardë dollarë prokurime të reja ushtarake, si pjesë e përpjekjeve për të forcuar kapacitetet mbrojtëse të Aleancës. Sipas deklaratës, vetëm gjatë vitit 2025, aleatët evropianë dhe Kanadaja kanë rritur investimet në mbrojtje me mbi 139 miliardë dollarë.

NATO theksoi se Evropa dhe Kanadaja do të marrin përgjegjësi më të mëdha për mbrojtjen e Aleancës, në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara, ndërsa do të vijojnë investimet në mbrojtjen ajrore dhe raketore, teknologjitë e avancuara, inteligjencën artificiale, sistemet pa pilot dhe aftësitë kibernetike.

Në deklaratë, aleatët vlerësuan se Rusia vijon të përbëjë një kërcënim afatgjatë për sigurinë euroatlantike, ndërsa terrorizmi mbetet një rrezik i vazhdueshëm. Për këtë arsye, NATO konfirmoi se do të vazhdojë forcimin e kapaciteteve të saj parandaluese dhe mbrojtëse në të gjitha drejtimet strategjike.

Liderët e Aleancës riafirmuan gjithashtu mbështetjen për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, duke e cilësuar ndihmën ushtarake si të domosdoshme për sigurinë transatlantike. Në këtë kuadër, u mirëprit edhe vendimi i Bashkimit Evropian për të siguruar financim shumëvjeçar për Kievin.

Në fund të deklaratës, vendet anëtare përsëritën se Irani nuk duhet të pajiset kurrë me armë bërthamore dhe i bënë thirrje Teheranit të respektojë lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›