Pezullimi i monopatinave, Koçiu: Masë e përkohshme deri në rregullimin e kuadrit ligjor

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, ka mbledhur në një tryezë diskutimi institucionet kryesore që kanë rol kyç në sigurinë rrugore, për të trajtuar çështjen e përdorimit të monopatinave elektrike në vend.
Pas takimit, ministrja bëri me dije se pezullimi i përkohshëm i lëvizjes me monopatina elektrike është marrë si një masë e nevojshme për të garantuar sigurinë e qytetarëve, deri në krijimin e një kuadri të qartë ligjor që do të rregullojë përdorimin e tyre.
“Në tryezën e diskutimit me institucionet kryesore që luajnë rol kyç në sigurinë rrugore, vumë në fokus hartimin e rregullave të reja që do të përcaktojnë standardet teknike të mjeteve, rregullat e qarkullimit dhe zonat e lejuara, si dhe përgjegjësitë e institucioneve që do të sigurojnë zbatimin e ligjit,” shkroi Koçiu në rrjetet sociale.
Sipas saj, qëllimi i këtyre ndryshimeve është rregullimi dhe normimi i përdorimit të monopatinave elektrike në mënyrë të sigurt, të organizuar dhe në përputhje me jetën urbane moderne të qytetit.
/rtsh.al/