Lamallari për ATSH: Ta harrojnë ata që përpiqen të zënë hapësirat publike

TIRANË, 3 prill /ATSH-Gjergji Mima/ Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, deklaroi sot në një konferencë për shtyp se, lirimi i hapësirave publike është një prioritet i qeverisë teksa shtoi se ata që përpiqen t’i zënë ato nuk do të lejohen.
Në përgjigje të interesimit të ATSH lidhur me lirimin e hapësirave publike, Lamallari theksoi se vendimmarrja është e qartë edhe në kuptim politik për të unifikuar strukturat shtetërore që kanë në thelb të njëjtin funksion.
Ai theksoi se, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) dhe Inspektoratet e Mbrojtjes së Territorit (IMT) bëhen bashkë për qëllimin e vetëm të lirimit të hapësirave publike dhe garantimin e masave për kontrollin e territorit.
“Ky është një tjetër prioritet për ne. Drejtuesi i ri i IKMT-së e ka këtë si prioritet të punës së përditshme dhe ndodhet kudo me operacionet që zhvillon IKMT-ja në Tiranë, në Durrës, apo së fundmi edhe në jug të vendit, ku nuk duhet të lejohet kurrsesi asnjë lloj forme shkeljeje apo tentative për abuzim dhe shtrirje të territorit në mënyrë të paligjshme”, u shpreh Lamallari.
Ai theksoi se praktika të tilla të konstatuara në zona turistike si Ksamili dhe Orikumi nuk do të tolerohen më.
“Pra, ato dukuri që janë konstatuar në Ksamil, në Orikum, ku persona të caktuar vendosin gurë, goma, dërrasa apo elementë të tjerë për të testuar reagimin e autoriteteve që ato më pas do të zhvillojnë një kabinë, e cila më pas synon të legalizohet, kjo mund të them vetëm ta harrojnë. Nuk mund të ndodhë”, deklaroi ministri.
Lamallari bëri të ditur se IKMT po bashkëpunon ngushtë me IMT-në dhe Policinë e Shtetit për të parandaluar këto shkelje, ndërsa theksoi se ka kërkuar angazhim maksimal nga strukturat policore në terren.
“IKMT po kombinon të gjitha forcat me ato të IMT-së dhe Policisë së Shtetit. Informohem periodikisht për këtë dhe i kam kërkuar drejtuesit të Policisë së Shtetit të garantojë që çdo strukturë policore, qoftë në nivel komisariati apo drejtorie vendore, të ketë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për të qenë e pranishme, për të evidentuar këto forma paligjshmërie dhe për të bashkëpunuar ngushtë me IKMT-në, në mënyrë që t’i vihet stop kësaj dukurie”, u shpreh ai.
Ministri gjithashtu nënvizoi rëndësinë e mbrojtjes së territorit dhe ndikimin e saj në zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit.
“Në fund të ditë, mbrojtja e ekonomisë dhe turizmit është e një rëndësie kritike, kombëtare për vendin tonë dhe për rritjen e mirëqenies sociale dhe rritjen e trajtimit financiar, si për punonjësit e Policisë së Shtetit, por edhe për pensionistët dhe për çdo element tjetër”, tha Lamallari teksa shtoi se, “mbrojtja e territorit është pasuri kombëtare e të gjithë qytetarëve shqiptarë”.
/a.f/