Pjesë e grupit të Laert Haxhiut, GJKKO jep vendimin për Artan Tafanin dhe Kristi Bixhekun

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur vendimin për një nga fraksionet e dosjes që lidhet me grupin e Laert Haxhiut, duke dhënë dënime për disa nga të pandehurit e akuzuar për ngjarje të ndryshme kriminale.
Sipas vendimit të gjykatës, Artan Tafani është dënuar fillimisht me 7 vite burg për episodin e sigurimit të kushteve për vrasjen e Rexhep Ginës. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i tij është ulur në 4.8 vite burg. Më tej, në funksion të statusit të tij si bashkëpunëtor i drejtësisë, dënimi përfundimtar është reduktuar në 2.4 vite burg.
Ndërkohë, Kristi Bixheku është dënuar me 3.6 vite burg, dënim që është ulur në 2.4 vite për veprën penale të përkrahjes së autorit, në lidhje me sigurimin e kushteve në dëm të Geci Hidas.
Gjithashtu, gjykata ka shpallur të pafajshëm një tjetër të pandehur, të identifikuar si Geci Hida, për akuzat e ngritura ndaj tij në këtë çështje.
Laert Haxhiu është një i dënuar nga drejtësia shqiptare, i konsideruar si organizatori kryesor i ngjarjes së vitit 2017 të njohur si “Masakra e Lushnjës”, për të cilën ai është shpallur fajtor për disa vepra të rënda penale dhe është dënuar me burgim të përjetshëm.
/rtsh.al/