Plagosen me thikë tre të miturit, njëri në gjendje të rëndë, konflikt mes nxënësve në shkollën “Ibrahim Rugova”

Një tjetër ngjarje e rëndë që për pak sa nuk u kthye në tragjedi, ka tronditur vendin.
Disa nxënës të gjimnazit “Ibrahim Rugova” në Kamëz janë përfshirë në një konflikt me njëri-tjetrin ku për pasojë tre prej tyre kanë mbetur të plagosur me thikë.
Sipas burimeve edhe këtë herë konflikti ka lindur per motive banale mes të miturve nga 15 deri në 16 vjeç.
Konfliktin e nisur një ditë më parë ata e kanë vijuar dhe këtë të martë brenda ambienteve të shkollës dhe më pas kanë dalë jashtë godinës, në një rrugicë përballë saj ku janë përleshur me grushte. Njëri prej tyre ka nxjerrë thikën duke plagosur tre bashkëmoshatarët.
Të tre të miturit janë dërguar në spital. Dy prej tyre kanë plagë të lehta dhe sipërfaqësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa i treti ka dy goditje me thikë në kraharor, goditje që i kanë prekur organet jetësore dhe ndodhet në gjendje të rëndë.
Ndërkohë blutë në vendngjarje kanë kryer kontrolle për gjetjen e thikës dhe kanë grumbulluar pamjet e kamerave të sigurisë. Ndërkohë hetuesit kanë marrë dëshminë e autorit të dyshuar si dhe personave të tjerë të përfshirë në konflikt./vizionplus.tv