Planet për ndërtim në Zvërnec, qytetarët protestojnë në Plazhin e Dalanit në Porto Novo

Të organizuar përmes rrjeteve sociale, qytetarë nga zona të ndryshme të vendit janë mbledhur sot në zonën e Porto Novos dhe plazhit të Dalanit, vendin nga ku një javë më parë nisën protestat, që janë shtrirë pothuajse në të gjithë vendin.
Me thirrjet “Narta është e jona”, ata shprehen të vendosur të vijojnë mbrojtjen e natyrës.
Protestuesve iu bashkua edhe avokatja dhe rekordmenia shqiptaro-australiane Eva Buzo, e cila, e shoqëruar nga një grup vajzash, përshkoi me not hapësirën mes ishullit të Sazanit dhe Plazhit të Dalanit në Porto Novo.
Protesta u monitorua në distancë nga policia. Ajo zgjati rreth dy orë dhe nuk u shënua asnjë incident.
Gazetare: A. Hysaj
/rtsh.al/