E Diel, 1 Nëntor 2026

Planet për ndërtimet në Zvërnec, protestohet në Pogradec dhe Gjirokastër

Qytetarë të ndryshëm kanë protestuar paralelisht në Tiranë dhe në disa qytete të vendit, konkretisht në Pogradec dhe Gjirokastër  duke shprehur kundërshtimin ndaj ndërtimeve në zonën e Zvërnecit dhe në zonat e tjera të mbrojtura natyrore.

Në Gjirokastër, protesta ka nisur prej orës 18:00. Qytetarët u mblodhën fillimisht në sheshin “Çerçiz Topulli” dhe më pas marshuan drejt zonës së pazarit karakteristik të qytetit.

Në Pogradec, sot shënon ditën e parë të pjesëmarrjes në protestat masive. Qytetarët u mblodhën në sheshin e kinemasë së qytetit, duke iu bashkuar thirrjeve për mbrojtjen e ekosistemeve të ndjeshme.

Protestat në Tiranë, që po vazhdojnë prej disa ditësh, janë shoqëruar me marshime drejt institucioneve qendrore, thirrje si “Shqipëria e shqiptarëve”, “Atdheu nuk është në shitje” dhe “Anuloni projektin”. Qytetarët kërkojnë ndalimin e menjëhershëm të projekteve të ndërtimit që prekin zonat e mbrojtura, veçanërisht në Zvërnec, ku shqetësimet mjedisore janë të mëdha.

Protestat të cilat nisën në Zvërnec kundër ndërtimeve atje u përhapën në Tiranë dhe ditët e fundit në qytetet e tjera të vendit, ku qytetarët theksojnë nevojën për ruajtjen e mjedisit, trashëgimisë natyrore dhe respektimin e ligjeve për zonat e mbrojtura.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›