Plas te Ferrari, Hamilton akuzon me fjalë të rënda Leclercun: Nuk ka respekt për ekipin

Luis Hamilton ka reaguar ashpër në përfundim të garës në Meksikë, e cila u karakterizua nga një duel i ashpër mes dy pilotëve të Ferrarit që në kthesat e para. “Interesi i skuadrës duhet të jetë gjithmonë mbi gjithçka.
Lëklerk ka treguar mungesë respekti ndaj ekipit dhe ndaj të gjithë njerëzve që punojnë në fabrikë. Ai tashmë është 29 vjeç, ndaj nuk bëhet fjalë për moshën, por për mentalitetin. O fiton ai, o nuk fiton asnjëri prej nesh”, u shpreh shtatë herë kampioni i botës. Fjalë të rënda.
Vështirë të gjendet një tjetër përshkrim për shpërthimin e Luis Hamiltonit në përfundim të Çmimit të Madh të Meksikës, ku britaniku u rendit i dyti pas Maks Vershtapenit, pasi ishte nisur nga “pole position”. Sinjalet e para të pakënaqësisë ishin shfaqur që më herët, me një komunikim të tensionuar në radio, në momentin kur gara u ndërpre për shkak të fl amurit të kuq: “Kemi probleme të mëdha. Vërtet shumë të mëdha”.
Referenca e Hamiltonit ishte, natyrisht, për duelin mes dy pilotëve të Ferrarit, me Sharl Lëklerkun, i cili në thelb i hapi rrugën triumfit të Red Bullit. Përplasja mes shokëve të skuadrës i mohoi Ferrarit mundësinë për të realizuar një dopietë, pasi në kthesën e parë dy makinat e kuqe ishin pozicionuar në vendin e parë dhe të dytë. “Një duel mes shokëve të skuadrës është i pranueshëm, për sa kohë që nuk e pengon ekipin të arrijë rezultatin më të mirë të mundshëm”, deklaroi Hamilton, duke kritikuar drejtpërdrejt monegaskun.
“Unë humba një fitore, ndërsa Ferrari humbi pikë të rëndësishme në luftën për vendin e dytë në kampionatin e konstruktorëve. Në Silverston mund të kisha vepruar si kamikaz, ta nxirrja atë jashtë gare dhe të humbnim të gjithë fitoren. Por nuk e bëra, sepse në atë moment isha i lumtur për skuadrën. Ne ishim në vendin e parë dhe të dytë në kthesën e katërt. Mjaftonte thjesht të ruanim pozicionet”, theksoi më tej piloti britanik.
“Në garë mund të ndodhë gjithçka, por kur shoku yt i skuadrës punon kundër teje dhe përfundon duke humbur pozicione në atë mënyrë, situata bëhet shumë e vështirë. Do të ulemi dhe do të flasim sy më sy. Do të shohim nëse kjo do të sjellë ndonjë ndryshim, por një gjë është e sigurt: diçka duhet të ndryshojë”, përfundoi Hamiltoni.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb