E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

‘San Siro’ i ri, arkitekti i stadiumit: Zhurma e tifozëve do të jetë shumë e fortë, s’ka stadium tjetër si ky në Evropë

Projekti i stadiumit të ri të Interit dhe Milanit, i quajtur Generali Stadium, synon të ruajë atmosferën ikonike të San Siros, duke ofruar një eksperiencë edhe më të veçantë për tifozët. Arkitekti David Manica, i cili po punon në projekt së bashku me Norman Foster, ka zbuluar disa nga veçoritë kryesore të impiantit të ri.

“Pavarësisht se ku do të ulesh, do të kesh një pamje perfekte dhe do të jesh pranë fushës. Zhurma e tifozëve, që e ka bërë San Siron të famshëm në të gjithë botën, do të jetë edhe më e fortë,”- u shpreh Manica.

Një nga elementët më të veçantë do të jenë tribunat Curva Nord dhe Curva Sud, të projektuara si dy mure gjigante tifozësh pranë portave. Tribunat do të kenë pjerrësi deri në 37 gradë, ndërsa çatia do të ndihmojë në përqendrimin e zhurmës brenda stadiumit. Sipas arkitektit, një konfigurim i tillë nuk gjendet në asnjë stadium tjetër europian.

Stadiumi do të ketë gjithashtu tribuna simetrike, hapësira më komode, më shumë shërbime dhe ekrane e ndriçim që do të përshtaten sipas skuadrës pritëse: kuq për Milanin dhe blu për Interin. Synimi është që impianti i ri të ruajë shpirtin e San Siros, duke u kthyer në një simbol të ri të Milanos.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›