Plazhet në Sarandë të pajisura me roje bregdetare, gati të presin pushuesit

Në kuadër të sezonit turistik 2026, Bashkia Sarandë ka marrë të gjitha masat e nevojshme për mbarëvajtjen e sezonit dhe pritjen e pushuesve. Institucionet përgjegjëse kanë hartuar një plan pune që synon garantimin e kushteve sa më të mira në zonat bregdetare dhe hapësirat publike të qytetit.
Sipas drejtorit të Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Jolio Dine, janë kryer ndërhyrje për rehabilitimin dhe sistemimin e plazheve publike, me qëllim që ato të jenë në funksion të pushuesve gjatë gjithë sezonit veror.
“Janë marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e këtij sezoni turistik. Kemi filluar me sistemimin e plazheve publike, me sinjalistik në mënyrë që ti vendosim në funksion të pushuesve”, u shpreh Dine.
Një tjetër masë e rëndësishme për sezonin turistik 2026 është garantimi i sigurisë në plazhe. Sipas autoriteteve vendore, të gjitha plazhet janë pajisur me roje bregdetare, të cilët do të monitorojnë vazhdimisht zonat e plazhit për të parandaluar incidentet dhe për të ofruar ndihmë të menjëhershme në rast nevoje.
“Janë marrë të gjitha masat për vendosjen e sinjalistikës dhe pajisjen e plazheve publike me roje bregdetare”, tha ai.
Me këto masa, Bashkia Sarandë synon të garantojë një sezon turistik të sigurt dhe të suksesshëm, duke u ofruar pushuesve kushte sa më të mira në plazhet e qytetit. Autoritetet vendore shprehen se puna do të vijojë gjatë gjithë verës për të përmbushur standardet e kërkuara dhe për të ruajtur imazhin e Sarandës si një nga destinacionet më të preferuara turistike në vend.
Gazetare: B. Pëllumbi
/rtsh.al/